Sudan, qeveria dhe rebelët pajtohen për t’i dhënë fund armiqësisë

Qeveria sudaneze dhe disa grupe rebele nënshkruan një deklaratë politike me anë të të cilës pretendojnë t’i hapin rrugën një marrëveshjeje të paqes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ata po ashtu ranë dakord të ndërpresin armiqësitë, veprim i cili do të lejojë shpërndarjen e qetë të ushqimeve në rajonet e varfëra Darfur, Malet Nuba dhe Nilin e Kaltër.

Kreu i aleancës së grupeve rebele, Frontit Revolucionar të Sudanit, El-Hadi Idris Mustafa, tha se ata janë të përkushtuar në përpjekjet e paqes.

“Ekziston një vullnet politik nga qeveria e Sudanit dhe nga të gjitha grupet e opozitës për t’i dhënë fund konfliktit në Sudan”, tha Idris, gjatë nënshkrimit të deklaratës në kryeqytetin Juba të Sudanit të Jugut.

Idris tha se deri në fund të këtij viti konflikti në Sudan do të përfundojë dhe viti 2020 do të jetë një vit i paqes.

Ai kërkoi nga Unioni Afrikan të mbështesë nismën e paqes.

Mohamed Hamdan Dagalo, një anëtar kyç i qeverisë kalimtare të Sudanit, pas nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se “paqja është qëllimi përfundimtar i qeverisë së Sudanit”.

Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit, tha se ai dëshiron ta shohë Sudanin dhe Sudanin e Jugut të shfaqen më të forta nga konflikti.

Bisedimet për paqen midis qeverisë sudaneze dhe grupeve kryesore rebele kanë filluar që nga java e kaluar.

Sudani po udhëhiqet nga një qeveri kalimtare pasi një grusht shteti në muajin prill përmbysi udhëheqësin Omar al-Bashir, pas disa muajve të protestave vdekjeprurëse.

SHPËRNDAJE