Stuhia “Ciara”, viktima dhe dëme në Evropë

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën në Evropë ndërsa stuhia “Ciara” zhvendoset në lindje duke pezulluar transportin dhe duke lënë me qindra e mijëra njerëz pa energji elektrike. 

Era e fortë në Poloni ka rrëzuar çatinë e një dyqani pajisjesh skijimi duke i marrë jetën një gruaje dhe dy vajzave të saj. Babai i tyre mbeti i lënduar. Një person humbi jetën pasi barka në të cilën ndodhej u përmbys në Suedinë jugore. Një tjetër person që ndodhej në bord, mbetet i zhdukur. Dy persona mbetën të vdekur në makinat e tyre, një në gjermani dhe një në slloveni. Ndërsa një britanik, 58 vjeçar, humbi jetën të dielën pasi një pemë e shkulur nga stuhia ra mbi makinën e tij.

Në ishullin mesdhetar të Francës, Korsikë, era shënoi një shpejtësi rekord prej më shumë se 220 km në orë të hënën në mbrëmje ndërsa shiu i rrëmbyeshëm dhe përmbytjet ishin të shumta në kontinent. Autoritetet thanë se era shkaktoi një zjarr në veri të ishullit. Portet dhe aeroporti në Korsikë u mbyllën të martën. 

Stuhia “Ciara” – e njohur edhe si “Sabine” në disa pjesë të Evropës ka shkaktuar dëme të mëdha. Duke kaluar së pari në Irlandë dhe Britaninë e Madhe, stuhia më pas u përplas egërsisht mbi Evropën kontinentale. Transporti u ndal dhe shkollat u mbyllën në Belgjikë, Gjermani, Luksemburg dhe Holandë. Shumë fluturime u anuluan apo u devijuan. Në Gjermani, një vinç u shemb mbi katedralen e Frankfurtit duke dëmtuar çatinë e saj ndërsa probleme pati edhe në Danimarkë, Suedi, republikën ceke etj. Sidoqoftë, era e fuqishme solli edhe një të mirë në gjermani. Turbinat e erës atje prodhuan një sasi rekord energjie elektrike, të barazvlefshme me atë të 44 impianteve bërthamore të energjisë./tch