Studiuesit britanikë: Stonehenge është ndërtuar nga migrantë nga Anadolli

Stonehenge, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Britanisë, është ndërtuar nga migrantë që kanë ardhur nga Anadolli, tregoi një studim britanik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas BBC, në studimin e publikuar në revistën Nature Ecology and Evolution, hulumtuesit kanë krahasuar ADN-në e mbetjeve të njeriut të Neolitit në Britani me ADN-të e njerëzve të asaj periudhe në Evropë.

Ekzaminimi i ADN-së ka treguar se bashkësitë e periudhës së Neolitit në Britani kanë migruar nga Anadolli.

Gjatë valës së migrimit nga Anadolli që ka filluar në vitin 6000 para erës sonë, një grup ka ndjekur Lumin Danub dhe ka vazhduar drejt Evropës Qendrore, ndërsa një grup tjetër ka arritur në Gadishullin Pirinej duke udhëtuar nëpërmjet Mesdheut.

Anadollasit kanë sjellë bujqësinë në Evropë, ku atëherë jetonin grupe nomade që merreshin me gjueti dhe grumbullim, ndërsa në vitin 4.000 kanë kaluar nga Pirineji në Britani.

Edhe pse Britania ishte e banuar nga grupe të “gjahtarëve perëndimorë”, me arritjen e bujqve, ADN-ja tregon se dy grupet nuk janë përzier, por grupet e bujqve me kalimin e kohës kanë zënë vendin e këtyre njerëzve.

Gjetjet kanë treguar se bashkësitë e gjuetarëve në Britani ishin zeshkanë me sy të kaltër, kurse bujqit e ardhur kishin lëkurë më të bardhë, sy me njgyrë kafe dhe flokë të zeza ose kafe të errët.

Sipas studimit, migrantët e epokës së Neolitit, krahas bujqësisë, kanë sjellë në Britani edhe traditën e bërjes së përmendoreve me gurë të mëdhenj, të njohur si megalitë, ndërsa Stonehenge, e ndërtuar në vitin 3000 para erës sonë dhe që gjendet 130 kilometra në perëndim të Londrës, është pjesë e kësaj tradite.

Megjithëse saktësisht nuk dihet se për çfarë është ndërtuar Stonehenge, monumenti shpesh lidhet me astronominë, astrologjinë, gjeometrinë, meteorologjinë dhe paganizmin. Monumenti, i cili tërheq interes të madh nga turistët, vitin e kaluar është vizituar nga 1,55 milion njerëz.

SHPËRNDAJE