Studim – Lajmet e rreme përhapen 70 për qind më shpejt sesa të vërtetat

Lajmet e rreme përhapen 70 për qind më shpejtë nga përdoruesit e rrjeteve sociale sesa lajmet e vërteta, sipas një studimi lidhur me informacionet që përhapen në “Twitter”.

Studimi në fjalë është realizuar duke marrë shtysë nga shqetësimi mbi atë se “përse të ashtuquajturat lajme të rreme, të prodhuara qëllimisht që për bazë kanë fabrikimin me burime të pabesueshme, përhapen shumë shpejtë në internet”.

“Rrebeshi i lajmeve të rreme” filloi të kritikohet shumë dy vite më parë, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas referendumit në Britaninë e Madhe për të braktisur Bashkimin Evropian.

Studimi ka shqyrtuar qindra-mijëra lajme të rreme të përhapura në “Twitter” në periudhën me viteve 2006-2017. Hulumtuesit e Institutit Teknologjik të Masaçusetit (MIT) gjetën 126.000 histori të fabrikuara, të cilat ishin përhapur nga rreth 3 milionë njerëz.

Sipas të dhënave, lajmet e fabrikuara janë përhapur 70 për qind më shumë nga lajmet e vërteta, ndërsa këtyre të fundit u është dashur 6 herë më shumë kohë për të arritur tek 1.500 njerëz.

Ky studim, ku hulumtuesit thonë se dezinfomacionet janë përhapur më shpejtë pasi ishin më joshëse dhe të mbushura me skandale, është publikuar në revistën “Journal of Science”.

“Gënjeshtra u përhap dukshëm më larg, më shpejtë dhe me shtrirje më të madhe në krahasim me të vërtetën, përfshirë të gjitha kategoritë e informacionit; ndërkohë që efekti ishte më i theksuar tek lajmet e rreme politike sesa tek ato për terrorizëm, fatkeqësi natyrore, shkencë, legjenda urbane ose informacion financiar”, thuhet në konkluzionet e hulumtuesve.

Ata theksuan se lajmet e rreme ishin kryesisht i një lloji të ri, që i nxisin njerëzit t’i shpërndajnë.

Hulumtuesit janë befasuar nga shpejtësia e përhapjes së fabrikimit, krahasuar me lajmin e vërtetë.

“Këto gjetje kanë hedhur një dritë të re në aspektin qenësor të ekosistemit tonë të komunikimit online”, shkruan Deb Roy, bashkautor i studimit.

SHPËRNDAJE