Studentët me një varg kërkesash i drejtohen krerëve të shtetit

Është mbajtur Konventa e Studentëve të Prishtinës, me ç’rast u miratua një rezolutë lidhur me kërkesat dhe nevojat e të rinjve drejtuar Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, raporton EkonomiaOnline.

Adis Shefkiu, përfaqësues i FAK, përmendi disa nga kërkesat e tyre si studentë drejtë krerëve të shtetit me rezolutën e tyre, si rritjen e bursave për studentë, pajisjen e bibliotekave të fakulteteve me tituj të ri e disa kërkesa të tjera.

“Të bëhet rritja e bursave për studentë, të krijohet një zyre ku centralizohen përgjegjësitë. Kërkojmë që të bëhet ndarja e një fondi i cili më menaxhim komplet ti takojë zyrës përgjegjëse, kërkojmë me pajisjen e bibliotekave të fakulteteve me tituj të ri nga fusha të ndryshme shkencore”, tha Shefkiu.

Edhe Kushtrim Smakiqi, kryetar i këshillit të studentëve në fakultetin juridik, një nga preokupimet e tij shprehi edhe zvogëlimin e çmimit të bursës ku kërkoi që vlera e kësaj burse të rritet në vlerë prej 1000 eurosh.

“Çështja e bursës, bursat më herët kanë qenë në vlerë prej 1200 eurosh dhe pastaj janë zvogëluar. Bursat duhet të ishin në vlerë jo më pak se 1000 euro dhe me këtë rast kjo do t’u ipte motiv edhe studentët ekselencë. Nxjerrjen e një vendimi për shtimin e praktikave për studentët në institucione”.

Ndërsa, Dashamir Berxulli, prorektor i UP-së, tha se studentët duhet të kontribuojnë fuqishëm në këtë proces dhe kërkoi nga ta të shtrojnë ndikimin e tyre për projekte tjera për studentë.

“Kjo është një energji që kërkon kanalizim dhe të shprehet në mënyrë kreative. UP la obligimin që të reflektojë në përditshmëri me studentët. Puna jonë nuk matet me tituj dhe nuk bëhet me tituj por shoqëria ma shpërblen me këta tituj. Ju duhet të kontribuoni fuqishëm në këtë proces dhe mund të shtroni ndikimin tuaj që të ketë më shumë projekte për studentët”.

Ndërsa, Koordinatori Nacional për Rini, Avdullah Hasani i siguroi studentët se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen me seriozitet të lartë dhe se do të kenë përkrahjen e tyre në çdo segment.

“Unë ju jap përkrahjen se qeveria sikurse asnjëherë më parë ka arritur kapacitetet financiare që studentëve në Kosovë të iu jap një shans më të mirë. Sot përveç liberalizimit të vizave nga moshatarë evropian nuk na ndan as edukimi e as arsimimi. Të rinjtë tonë dhe ata evropian dallojnë vetëm për vendin ku jetojnë. Zotohem se qeveria e Kosovës kërkesat do ti trajtojë dhe së bashku me ju do jemi dëshmitarë që ato do ti realizojmë bashkë me ju. Gjenerata e re është e ardhmja e Kosovës dhe këtë askush nuk mund ta ndalë. Sugjerojë mos të bëni kërkesa politike por kërkesa për cilësinë në arsim dhe për të ardhmen e juaj”.