Stoltenberg: Do ta rrisim praninë në Afganistan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se do ta rrisin praninë e aleancës në Afganistan, duke njoftuar se 15 shtete tashmë kanë dhënë fjalën për kontribute shtesë për Misionin e Mbështetjes së Vendosur dhe se presin më tepër kontribute edhe nga kombet e tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratë për gazetarët para Mbledhjes së Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që mbahet sot në selinë e NATO-s në kryeqytetin belg, Bruksel, Stoltenberg tha se ministrat sot do të diskutojnë lidhur me misionet e NATO-s, politikat e parandalimit, lufta kundër terrorizmit dhe mbrojtja kundër sulmeve kibernetike.

Ai shtoi se roli i aleancës në luftën kundër terrorizmit është rritur në korniza të vendimeve të marra muajin e kaluar në Samitin e Liderëve dhe se është shënuar përparim në shpenzimet për mbrojtje.

Sikurse edhe në deklaratën e djeshme, Stoltenberg përsëriti se këtë vit pritet rritje prej 4,3 përqindësh në shpenzimet për mbrojtje të aleatëve evropianë dhe Kanadasë për aleancën, duke shtuar se viti 2017 do të jetë viti i tretë me rritje konsekutive të shpenzimeve për mbrojtje.

Ai njoftoi se në mbledhje do të diskutohet edhe mbi kontributin e misioneve dhe operacioneve të NATO-s, ndërsa në takimin që do të realizohet me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini do të flitet për lidhjet e thella mes NATO-s dhe BE-së në mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër terrorizmit.

“Do ta rrisim praninë në Afganistan”

Duke informuar se dita e sotme do të përfundojë me një mbledhje në të cilën do të marrin pjesë të gjitha shtetet kontribuese në Misionin e Mbështetjes së Vendosur në Afganistan, Stoltenberg tha: “Do të diskutojmë mbi të ardhmen e pranisë së NATO-s në këtë vend. Zyrtarët ushtarakë kanë kërkuar edhe disa mijëra ushtarë për misionin në Afganistan. Andaj, unë sot mund të konfirmoj se do ta rrisim praninë në Afganistan. 15 shtete tashmë kanë premtuar kontribut për Misionin e Mbështetjes së Vendosur. Edhe nga kombet e tjera presim më shumë kontribut”.

Ai tha se rritja e pranisë së NATO-s në Afganistan nuk ka të bëjë me detyra të reja luftarake, por më shumë me forcimin e detyrave trajnuese, mbështetëse dhe këshillimore.