Stambolli, qyteti i dy kontinenteve që bënë diferencën

Shtrirja strategjike mes dy kontinenteve, Azisë dhe Evropës, e ka bërë të jetë një nga qytetet më të rëndësishëm të historisë. Aty ku takon të shkuarën dhe të tashmen, lindjen dhe perëndimin. Është ky Stambolli, vendi modern i ndarë në tre zona ku çdo kush ëndërron për ta vizituar. Të mbështetur nga “Turkish Airlines”, Indeksonline iu sjell një reportazh nga vendi i mahnitshëm, afërsisht njëmijë kilometra larg kryeqytetit tonë, Prishtinës.

Stamboll, korrik 2019

Bukurie Gashi nga Peja bashkë me nënën e saj, Hasimen, për të dytën herë kanë vizituar Stambollin, qytetin e ngrohtë për turistët i cili sjell përveç modernes edhe kulturën e historinë e lashtë të Turqisë. Nënë e bijë u panë në mesin e mijëra turistëve nga mbarë bota në sheshin Sulltan Ahmet që rrethohet me objekte e monumente tërheqëse. Bukuria për Indeksonline ka treguar se ka zgjedhur sërish qytetin metropolan për ta vizituar pasi që herën e parë kur e kishte vizituar në 2014 i kishte lënë shumë përshtypje kultura dhe historia e vendit.

“Këtu është vërtetë bukur. Kam ardhur bashkë me nënën për ta vizituar Stambollin. Udhëtuam me “Turkish Airlines” dhe për herë të parë ateruam në aeroportin e ri, më të madhin në botë. Unë iu bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë këtu dhe ta shohin qytetin i cili vizitohet nga të gjitha nacionalitetet”, ka thënë Bukuria e cila me profesion është ekonomiste.

Stambolli që shtrihet në dy kontinente (Evropë e Azi) është një qytet i madh me rreth 15 milionë banorë dhe ka mjaft vende ku ka dyndje turistësh.

Në zonën kryesore të qytetit ndër monumentet tërheqëse është edhe Xhamia e Sulltan Ahmetit e cila njihet edhe si “Xhamia e Kaltër”.

Ciceronia Selma Yhlmaz, ka thënë për Indeksonline se ‘Xhamia e Kaltër’ e mori emrin sepse gjatë kohës otomane ka qenë e dominuar nga ngjyra e kaltër, përpara ka pasur të vendosur vetëm tepihë të kaltër dhe shume dritare kristali të tëra në të kaltër.

“Është e shtata xhami, sepse numri shtatë është numër i shënuar, kemi 7 ditë të javës. Kjo është xhamia e dytë më e madhe në këtë rajon. Pse e quajnë ‘Xhamia e Kaltër’ sepse gjatë kohës otomane ka qenë e dominuar nga ngjyra e kaltër, përpara ka pasur të vendosur vetëm tepihë të kaltër dhe 316 dritare kristali të tëra në të kaltër, por më vonë tepihët u larguan dhe u vendosen në muze”, ka thënë Yhlmaz.

E pyetur pse është kaq e famshme në botë kjo xhami, ajo tha se është e vetmja xhami në botë që ka gjashtë minare dhe gjashtë kulla, ku të gjitha minaret kanë ballkone përreth që quhen ‘Sherrefe’.

Ajo ka folur edhe për muzeun “Shën Sofia” e cila ka qenë katedralja më e njohur bizantine dhe ortodokse e Kostandinopojës nga viti 537 deri në vitin 1453 që më pas nga pushtimi osman deri në vitin 1931 shërbeu si xhami. Aktualisht ky objekt që vizitohet nga mijëra vizitor brenda ditës ka statusin e muzeut.

“Ky objekt është i njohur veçanërisht për kupolën e saj gjigante. Muzeu i Shën – Sofisë është mishërim i arkitekturës bizantine. Jo rastësisht llogaritet si Kisha e katërt më e madhja në botë”, ka thënë ajo.

Ndër vendet tjera që një i huaj duhet të vizitojë në Stamboll është gjithsesi edhe Pallati Topkapi që ishte vendi i qëndrimit të sulltanëve të Perandorisë Osmane. Ai është një subjekt historik më me vlerë se shumica e muzeve të botës të marra së bashku. Nga armët që përdorën sulltanët e Perandorisë Osmane e deri te veshjet e tyre, mund ti hasni në këtë pallat muze.

Një monument tjetër që ndodhet në qendër të Stambollit është edhe Obelisku i Teodosit, që daton nga shek. XV para erës së re, pra para rreth 3500 vjetësh.

Ky obelisk i ndërtuar për hir të fitores së një faraoni në Mesopotami, me një gjatësi prej 32.50 m është simbol i këtij qyteti.

E para se të largoheni nga qyteti i Stambollit patjetër se duhet të bëni një udhëtim me anije përgjatë brigjeve të Bosforit.

Lundrimi me anije nga pjesa evropiane në atë aziatike dhe anasjelltas, është një prej itinerareve të pashmangshme për çdo vizitor.