Stamboll, studentët protestë për adoleshenten palestineze Tamimi

Një grup studentësh nga Universiteti i Stambollit protestuan në sheshin Bejazit të këtij qyteti për adoleshenten palestineze Ahed Tamimi të arrestuar nga ushtarët izraelitë në luftën e saj për lirinë e Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupi që mbante flamuj të Palestinës dhe fotografi me mbishkrimin “Liri për Ahed Tamimin” realizoi protestë në heshtje prej pesë minutash në sheshin që gjendet para universitetit.

Duke lexuar deklaratën në emër të klubeve të studentëve, studenti Furkan Gurbetoğlu rikujtoi se Ahed Tamimi, e cila njihet për qëndrimin e saj kundër ushtarëve okupatorë izraelitë, mbahet në arrest së bashku me të ëmën e saj që nga dhjetori i vitit 2017.

Ai theksoi se Tamimi disa herë është nxjerrë para gjykatës edhe përkundër faktit se është në moshë 17-vjeçare dhe nuk ka kryer asnjë krim.

“Për më tepër, i ashtuquajturi gjykim ndaj Tamimit, ndaj së cilës nuk ka akuzë konkrete, kryhet nga gjykata ushtarake pa marrë në konsideratë moshën. Kjo gjendje flet për sanksionet e shtetit jolegjitim të Izraelit ndaj grave dhe fëmijëve të pafajshëm”, theksoi Gurbetoğlu.

Sipas tij, Tamimi, e cila për herë të parë u nxor në seancë gjyqësore më 13 shkurt, ka qenë subjekt i torturave dhe keqtrajtimit.

Ndryshe, më 19 dhjetor, forcat izraelite arrestuan Ahed Tamimin, e cila njihet si “palestinezja e guximshme”, në një bastisje gjatë natës në fshatin Nabi Saleh të Bregut Perëndimor. Nëna e saj u arrestua menjëherë pas saj. Një ditë më vonë, forcat izraelite arrestuan edhe kushërirën e saj.

Ajo thuhet se akuzohet për “sulm” ndaj ushtarëve izraelitë, pasi ishte publikuar një video në të cilën shihej teksa Ahed godiste me shuplakë një ushtar izraelit i cili kishte hyrë me forcë në oborrin e shtëpisë së saj.

Tamimi pritet të shfaqet sot në një seancë të radhës në gjykatën izraelite së bashku me nënën dhe kushërirën e saj.

Në vitin 2012, Bashkia Başakşehir e Stambollit i ndau asaj çmimin për kurajo Hanzala për kundërshtimin e ushtarëve izraelitë teksa këta po arrestonin vëllain e saj.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në atë kohë kryeministër, u takua personalisht me vajzën palestineze për të shprehur admirimin e tij për trimërinë e saj.

Babai, nëna dhe vëllezërit e Ahedit vazhdimisht janë arrestuar nga autoritetet izraelite për kundërshtimin e tyre të ashpër ndaj okupimit të tokave palestineze nga Izraeli.