Sporti ndërkombëtar kërkon shmangien e përballjeve Kosovë – Serbi

Organizatat e të gjitha sporteve janë këshilluar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që me kujdes të mendojnë kur shpërblejnë Kosovën ose Serbinë me organizimin e ndonjë ngjarje sportive shkaku i tensioneve të vazhdueshme politike në rajon.

Në një komunikatë, Bordi Ekzekutiv i KON-it, ka thënë se situata mes dy shteteve “e bën të vështirë në praktikë që dy vendet të organizojnë ngjarje ndërkombëtare që përfshijnë atletë nga rajoni”, transmeton Koha.net.

Zëdhënësi i KON-it, Mark Adams, ka thënë se federatat ndërkombëtare duhet të paralajmërohen se mund të përfshihen në probleme nëse organizojnë gara në rajonin problematik.

Ky qëndrim i KON-it vjen pasi ekipi i karateistëve të Kosovës nuk u lejua nga Serbia që të merrte pjesë në Kampionatin Evropian që u mbajt në Novi Sad.

Qeveria serbe dy herë refuzoi hyrjen e përfaqësueses së Kosovës, transmeton Koha.net. Pas disa bisedimeve mes federatave ishte arritur marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës, por përsëri karateistët u bllokuan në kufirin me Serbinë, me urdhër të qeverisë.

Zëdhënësi Adams ka pranuar se KON-i prapë nuk ka mundur të gjejë shkaktarin e këtij bllokimi të karateistëve kosovarë, përkundër hetimeve të urdhëruara nga Komiteti.

“Të gjitha institucionet që ishin të përfshira direkt në përgatitjen e kësaj gare e kanë bërë më të mirën që delegacioni i Kosovës të mund të merrte pjesë”, thuhet në një komunikatë të KON-it.

“Derisa atletët e Kosovës nuk mund të merrnin pjesë në garë, KON-i do të hetojë se si mund të minimizohen pasojat negative e mospjesëmarrjes së tyre”, thuhet më tej.

Një incident i tillë si në Serbi mund të përsëritet nëse Kosova dërgon ekipin në Kampionatin Botëror që mbahet në Madrid, derisa Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i KON-it, Thomas Bach më herët i ka bërë thirrje sportit që “të tregojë dhëmbët” duke kundërshtuar rastet e shteteve që bllokojnë pjesëmarrjen e shteteve tjera shkaku i politikës.

Në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën në Tarragona qeveria spanjolle detyroi delegacionin e Kosovës që të mos bënte paradë me flamur në ceremoninë mbyllëse të këtyre Lojërave.

SHPËRNDAJE