“Specialja do të dëmtojë të akuzuarit, s’po tregohet kujdes institucional e as qytetar”

Çështja e Gjykatës Speciale dhe ftesat që po vijnë këto ditë, sipas ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, po bëhen për të përmbushur obligimet që ka marrë kjo Gjykatë nga institucionet kosovare.

Ish-komandanti i luftës në Koshare, për Ekonomia Online thotë se kur mungon konsolidimi i institucioneve, hetimi dhe ftesat ndaj kësaj kategorie kalojnë më pak të vërejtura dhe nuk tregohet një kujdes as institucion, por as qytetar ndaj tyre.

“Dhomat Speciale të Hetuesisë janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës, janë produkt i institucioneve tona. Selia në Hagë është çështje teknike, që d.m.th. se edhe mandati i tyre për të përmbushur obligimet që kanë, buron nga ligji. Prandaj, procesi i hetimeve, thirrjeve nga këto biseda hetimore, konsideroj se është në vazhdën e punëve ligjore që ata po i kryejnë, dhe nuk duhet parë në kontekst të keqpërdorimit hapësirën apo zbrazëtirës institucionale. Është e vërtetë se kur nuk ka institucione të konsoliduara, atëherë edhe hetimi dhe ftesat ndaj kësaj kategorie kalojnë më pak të vërejtura dhe nuk tregohet një kujdes as institucion por as qytetar ndaj tyre”, thotë Berisha.

Për mohuesin e masakrës së Reçakut, presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Berisha thotë se nuk po trajtohet nga Gjykata e Hagës. Ndërkaq, sipas tij, e kundërta po ndodh për ish-ushtarët e UÇK-së, që po përndiqen nga Gjykata Speciale.

“Presidenti serb, që ka qenë ministër i Millosheviqit, e mohon edhe masakrën e Reçakut, i thotë një personaliteti të ndershëm (Ëilliam Ëalker), mashtrues. Dhe sot nuk trajtohen këto çështje nga Haga. Dhe në institucionet tona, krejt kohën e shpenzojnë se si të gjejnë forma për t’i dënuar luftëtarët e tyre dhe unë mendoj se kjo kategori që mbështet këto tendenca, ka krizë morale të ndërgjegjes”, thotë ai.

Ish-komandanti i Koshares thotë se pavarësisht a dënohen apo jo, të akuzuarve do t’u bëhet dëm shumë i madh, si moral, ashtu edhe familjar, si dhe do t’u shkatërrohet edhe karriera.

“Dhomat Speciale do ta vazhdojnë punën e tyre, do t’i thërrasin të gjithë sepse është një raport i Dick Martit me shumë shpifje dhe të pavërteta që janë gatuar në Beograd dhe me siguri në fazën kur të përmbyllen hetimet, do të përgatiten edhe paditë ndaj këtyre pjesëtarëve të penalizuar apo jo. Nëse hiç nuk dënohen, do t’i shkëpusin nga procesi jetësor, ja shkatërrojnë karrierën, familjen e kështu më radhë”, thotë ai.

Berisha komentoi edhe rastin e ashtuquajtur “Veteranët e rrejshëm”, e që thotë se nuk ka veteranë të rrejshëm, por defekte në aplikacionet e tyre që nuk përputhen me data dhe me struktura komanduese.

Kur flet për këtë kategori, Berisha ka apeluar që të mos quhen kështu, pasi që sipas tij, po dëmtohen në shumë mënyra, siç është aspekti moral.

“Është edhe çështja e trajtimit që janë identifikuar si veteran të rrejshëm, që nuk ka veteran të rrejshëm, por kanë defekte në aplikacionet e tyre që s’përputhen në data, në strukturë komanduese dhe si të tillë janë bërë element i trajtimit penal, Gjykatave tona. Janë edhe eprorët përgjegjës të kësaj strukture që poashtu po përballen me të tilla situata”.

“Kjo kategori që janë vërtetë luftëtarë, janë identifikuar si të tillë nga strukturat komanduese, për shkaqe të mospërputhjes teknike në aplikacionet e tyre, nuk guxojnë të dëmtohen në aspektin moral. Në sistemet e drejtësisë perëndimore edhe për fyerje dhe dëmin moral, ndëshkohesh më shumë sesa për dëmet materiale, dhe kjo po bëhet me luftëtarët. Unë e përjetoj këtë, se kam luftëtarë të mirë që i njoh dhe u ka dalë statusi siç po i quajnë veteranë të rrejshëm”, thotë ai.