Spahiu: Deklarata e Boiken Abazit e komprometon rëndë VV-në, Visar Ymeri të distancohet

Deklarata e fundit e sekretarit për marrëdhënie me jashtë i VV-së, Boiken Abazit, se kush e ka “nënë” Kosovën e ka “baba” Serbinë ka ngjallur reagime nga më të ndryshmet.

Nga ana tjetër deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, edhe pse jo mirë i informuar për këtë temë ka thënë për lajmi.net se deklarata e Abazit ka mundur të keqkuptohet.

Mirëpo, analisti i çështjeve politike në vend, Nexhmedin Spahiu, tha se deklarata e Boiken Abazit është dëshmi se ata që janë kundër kombit kosovarë, drejtpërdrejt janë kundër shtetit të Kosovës.

“Deklarata e Boiken Abazit është dëshmi se ata që janë kundër kombit kosovar janë kundër shtetit të Kosovës. Tani janë dal haptazi, kush është kundër kombit kosovar është kundër shtetit të Kosovës”, u shpreh Spahiu.

Sipas tij edhe ata gazetarë që nuk e përdorin termin Kombëtarja e Kosovës, por Përfaqësuesja e Kosovës janë kundër shtetit të Kosovës.

“Ata gazetarë të cilët thonë përfaqësuesja e Kosovës, e jo Kombëtarja e Kosovës në fakt janë kundër Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës. Pra, edhe deklarata e Boikenit këtë e tregoj shumë qartë”, tha Spahiu për lajmi.net.

Spahiu thotë se deklarata e Abazit nuk përfaqëson Vetëvendosjen, pasi sipas tij në emrin e VV-së mund të flas vetëm kryetari i saj, Visar Ymeri, por “kjo deklaratë e komprometon tepër rëndë Vetëvendosjen”, ishin fjalët e analistit.

“Në emrin e Vetëvendosjes mund të flas vetëm kryetari i saj Visar Ymeri dhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, por gjithsesi kjo deklaratë e komprometon tepër rëndë Vetëvendosjen”, theksoi ai.

Më tutje, Spahiu tha, se “konsideroj që Visar Ymeri, do të duhej që të distancohej nga kjo deklaratë.”

I pyetur se a duhet të vazhdojë debati i bashkimit kombëtarë ose jo, Spahiu tha se duhet të vazhdoj debati dhe të dalin në shesh të vërtetat e fshehura që ekzistojnë, e këtë ai e ndërlidhi më një fjalë të urtë popullore “duhet hequr bërlloku nga shtëpia”

“Ky debat duhet të vazhdoj sepse i qet në shesh të palarat që ekzistojnë. Ne nuk mundemi të themi se e kemi shtëpinë e pastër duke e futur bërllokun nën tepih, por duhet të pastrohet bërlloku nën tepih për të thënë që e kemi shtëpinë e pastër”, u shpreh në fund Nexhmedin Spahiu.

SHPËRNDAJE