Sot takohen BDI-ja dhe LSDM-ja, kalkulimet kanë filluar për qeverinë e re të Maqedonisë

Ashtu siç paralajëmroi edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot pritet të realizohet takim ndërmjet partisë së tij dhe LSDM-së, në tentimin për të formuar qeverinë e re, pas mandatimit të Zoran Zaevit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Shumica parlamentare përbëhet nga 67 deputetë, por a do të përfshihen të gjithë edhe në qeveri, mbetet që të shihet se si do të rrjedhin bisedimet. Lëvizja Besa më herët paralajmëroi se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, nëse nuk do të marrin rol të rëndësishëm. Sipas tyre, nëse BDI e mori kryetarin e Kuvendit, LSDM do ta merr kryeministrin, atëherë partisë së tyre u takon ndonjë rol me rëndësi.

Aleanca për Shqiptarët sipas të gjitha gjasave do t’i thotë po pjesëmarrjes në qeveri dhe nuk pritet që të bëjë ndonjë problem, pasi që është më e vogla në këtë shumicë parlamentare.

Ali Ahmeti bëri të ditur dje se qeveri mund të ketë shumë shpejtë, çfarë lë të kuptohet se gjërat nuk do të vështirësohen.

Megjithatë, mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë me pikat e Deklaratës politike shqiptare, e nënshkruar nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Të tri partitë kanë thënë se nuk do të zmbrapsen nga nënshkrimi i saj.

Nga ana tjetër, ish-politikani Alajdin Demiri, deklaroi për Telegrafi Maqedoni se formimi i qeverisë do të jetë një proces i vështirë, për arsye se sjellja e partive politike është e tillë, duke shtuar se premtimet e Zaevit dhe partive shqiptare nuk do të jetë e lehtë për t’u realizuar.

Opinionisti Suad Misini tha për Telegrafi Maqedoni se pengesat e vetme të Zaevit mund të vijnë vetëm nga BDI-ja, nëse kjo parti nuk merr ndonjë pozitë të caktuar në qeveri. Edhe Bojan Mariçiq është i mendimit se vështirësitë mund të dalin në funksionet qeveritare që duhet të ndahen ndërmjet shumicës parlamentare.