Somalia përballet me përmbytjet më të këqija në historinë e fundit

Përmbytjet e muajit të kaluar në Somali ishin më të rëndat në historinë e fundit dhe një kujtesë se kombi i Bririt të Afrikës duhet të përgatitet për ekstremet që priten me ndryshimin e klimës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët lokalë theksojnë se më shumë se 20 persona supozohet se kanë vdekur dhe numri i tyre mund të rritet. Më shumë se një çerek milion njerëz janë zhvendosur.

Me shira edhe më të dendur dhe përmbytje të pritshme, zyrtarët paralajmërojnë njerëzit që të mos kthehen shpejt në shtëpitë e tyre.

Aeroplanët e ndihmës vazhdojnë pasi presidenti Mohamed Abdullahi Mohamed e quajti këtë shkatërrim “përtej kapacitetit tonë” dhe u lut për më shumë ndihmë.

Një person i shpërngulur kujtoi se po e shoqëronte familjen e tij të përgjumur në çatinë e shtëpisë së tyre, ndërsa mijëra njerëz në një qytet kacavirreshin për jetën e tyre.

Shkatërrimi i tokës bujqësore pranë lumenjve pritet të kontribuojë për një krizë urie.