Somali, mbi 20 mijë fëmijë rrezikojnë të vdesin nga uria

Organizatat humanitare paralajmërojnë se pa ndihma të vazhdueshme ndërkombëtare, më shumë se 20.000 fëmijë në Somalinë e prekur nga thatësira mund të vdesin nga uria gjatë muajve në vazhdim, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizata “Save the Children” të enjten njoftoi se rritja e numrit të rasteve të kequshqyerjes akute është përshpejtuar në disa prej nëntë zonave somaleze.

Bëhet e ditur se hulumtimet e reja tregojnë se në gjendje urie janë disa pjesë të Bririt të Afrikës.

Humanitarët theksojnë se pa ndihmën e 1.5 miliardë dollarëve (rreth 1.31 miliardë euro) Somalia mund të përballet me urinë si ajo e vitit 2011, kur humbën jetën më shumë se 250 mijë njerëz.

Gjysma e viktimave kanë qenë fëmijë. Mijëra persona kanë humbur jetën gjatë thatësirave të fundit teksa Somalia përballet me reshjet e dobëta të shiut dhe kolerën, ndërsa përskaj gjithë kësaj shumë njerëz janë bllokuar në zonat nën kontrollin e grupit ekstremist Al-Shabab.