Skënderbeu-Partizani i Beogradit përfundon pa fitues

Skuadra e vetme shqiptare në Ligën e Evropës, ka barazuar pa gola 0-0 ndaj Partizanit të Beogradit.

Në ‘Elbasan Arena’ ishte një siguri jashtëzakonisht e lartë me forcat policore që ishin kudo në stadium.

Ndeshja nisi furishëm për vendasit të cilët nga minutat e para kërkonin golin e epërsisë.

Ishte minuta e 10-të, kur mesfushori në formë, Bruno Dita tentoi me një goditje të fuqishme por që nuk përfundoi në gol.

Nigeriani James pati një rast të mirë, kur i vetëm me mbrojtësin Mitrovic nuk arriti të kalonte atë për të qenë një rast i rrezikshëm.

Pas 30 minutave lojë, mbrojtësi me përvojë Marko Radas u largua pas lëndimit dhe atë e zëvendësoi reprezentuesi i Kosovës, Fidan Aliti.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë me Skënderbeun që sulmonte vazhdimisht portën e Partizanit.

Sulmuesi afrikan, Ali Sowe kishte një rast të mirë shënimi por goditja e tij u devijua nga mbrojtësi Mitrovic.

Rastin më të mirë për mysafirët e kishte Jevtovic, por që goditja e tij u mbrojt mirë nga Orges Shehi.

Deri në fund të dyja skuadrat kishin disa gjysmë raste por që portat mbetën të pa prekura.

Pas këtij barazimi, Skënderbeu ka grumbulluar dy pikë pas tri ndeshjeve në Ligën e Evropës sa ka edhe Partizani i Beogradit.

Ndërkohë ndeshja e kthimit do të luhet pas dy javësh në Beograd, ku me një fitore të mundshme Skënderbeu do t’i shtonte gjasat për një kalim nga grupi.