Skenari serb për “katastrofë humanitare”, veriu i mbushur me mallra ushqimore e ilaçe

“Katastrofa humanitare” e paralajmëruar nga shteti serb në veri të Kosovës, po dëshmohet të jetë vetëm një skenar i radhës. Kjo pasi që edhe në teren, pikat shitëse me produkte ushqimore dhe barëra, janë të mbushura dhe nuk përkon me atë që ankohen banorët e madje edhe vet shitësit e asaj pjese.

Po të futesh brenda dyqaneve serbe në Mitrovicë të veriut, sheh se nuk ka mungesë të produkteve ushqimore.

Ekipi i RTV Dukagjinit qëndroi në atë pjesë, për të parë gjendjen e dyqaneve, raftet e të cilave ishin të mbushura përplotë.

E, ndonëse një gjë e tillë dukej, shitësit serb megjithatë thoshin se kanë mungesë të produkteve.

Sipas Blagica Janjakoviq, atyre u mungojnë mielli e qumështi, gjendje kjo që thotë se është krijuar ditëve të fundit.

“Duke marrë parasysh që çdo ditë ka më pak e më pak produkte, pra ka diku 2 ose 3 ditë mungesë e miellit qumështit, sigurisht që do të ndodhë kjo katastrofë dhe kjo për shkak të taksës që ka vendosur Prishtina produkteve Serbe dhe tani Serbia nuk ka se si të importoi mallra këtu. Apelojmë te Bashkimi Evropian dhe ndërkombëtarët si dhe Qeverisë në Prishtinë të suspendojnë këtë taksë sepse askund në Botë nuk ka një taksë 100%”, tha për RTV Dukagjinin, Blagica Janjaçkoviq.

Ndërkaq në njërin nga dyqanet e tjera, duke mos lejuar xhirimin edhe pse raftet shiheshin të mbushura, shitësi vazhdonte të thoshte se kanë mungesa.

“Po, ka mungesë të qumështit dhe gjërave elementare. Po e shihni, raftet janë të zbrazura”, deklaroi shitësi serb.

Serbët dhanë paralajmërime se ka mungesë edhe të ilaçeve, megjithatë kjo nuk dukej as nëpër barnatoret që ekipi RTV Dukagjinit i vizitoi. Ndonëse në asnjërën prej tyre nuk u lejua xhirimi.

“Nuk e di, mbase do të detyrohemi të jetojmë si indianët”, tha farmacisti serb, përcjell Telegrafi.

Shqiptarët e kësaj pjese shprehen se nuk ka një gjendje të tillë, siç e thonë serbët, ndonëse prapa kamerave thonë se serbët nuk po vijnë të blejnë më produkte në jug, tash e sa ditë.

“Kanë ardhur shumë këtu, po tash më nuk po vijnë. Ndoshta vetëm ndonjëri që nuk ka informacione”, shprehet një shitëse shqiptare.

Për këtë inskenim të kësaj situate, qeveria e Kosovës pati thënë se është në dijeni të planit dhe se nuk do të lejojnë që një situatë e tillë të ndodhë.

SHPËRNDAJE