S’ka më punësim pa provim shtetëror

Ligji për Profesionet e Rregulluara që hyri më 21 nëntor të këtij viti parasheh organizimin e të ashtuquajturit provim shtetëror për të diplomuarit në profesionet e rregulluara të Republikës së Kosovës.

Profesionet e rregulluara janë profesioni i mjekut, stomatologut, farmacistit, mamisë, fizioterapeutit, veterinerit, arkitektit, inxhinierit të të gjitha fushave, mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, edukatorit, psikologut, punëtorit social, pedagogut, ekonomistit dhe juristit.

Eksperti i fushës së arsimit, Jusuf Thaçi, megjithëse konsideron si pozitiv dhe të nevojshëm mbajtjen e këtij provimi, është skeptik për mundësinë e organizimit të tij.

“Parimisht ky ligj është pothuajse në të gjitha vendet dhe në parim është mirë sepse siguron uniformitet në nivel vendi, mirëpo nuk mundemi të themi se a do të jetë mirë për shkak se nuk e dimë se si do të zbatohet ky lloj vlerësimi apo testimi”, tha Thaçi.

Provimi shtetëror bëhet për të “vlerësuar njohuritë e kandidatit që synon të ushtrojë profesion të rregulluar, duke siguruar njëtrajtshmëri dhe transparencë në vlerësimin dhe kualifikimin e tij në nivel kombëtar, përmes verifikimit të përvetësimit të aftësive të nevojshme profesionale për profesionin e rregulluar”.

Dhe vetëm pas përfundimit të suksesshëm të këtij provimi, kandidati mund të marrë licencën përkatëse profesionale për punësim.

Megjithatë, të përjashtuar nga mbajtja e këtij provimi janë profesionistët që ushtrojnë apo kanë ushtruar një profesion të rregulluar në Kosovë para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe profesionistët të cilët kanë fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Kosovës, që përcaktohet në akt të veçantë nënligjor.

Testimi parashihet të organizohet nga Agjencia Shtetërore e Provimeve të Kosovës me katër anëtarë të komisionit ku përfshihet kjo agjenci, Ministria e Arsimit, profesionistë të fushës dhe profesorë universitarë.