S’ka mjekë të mjaftueshëm nëpër komuna

Që nga përfundimi i luftës Qendrat e Mjekësisë Familjare po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të personelit mjekësor, por përkundër kësaj këto qendra vazhdojnë të mos punësojnë staf të ri.

Situata u përkeqësuar gjatë viteve të fundit nga emigrimi drejt Gjermanisë i stafit shëndetësor, por mungesa e tyre ndjehet edhe më shumë në disa komuna.

Lajmi.net ka kontaktuar me drejtorët e shëndetësisë në komunën e Podujevës, Kamenicës dhe atë të Gjakovës, të cilët kanë pranuar se ka mungesë të stafit, por që kanë thënë se numri i punëtorëve shëndetësor është i kufizuar.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Podujevës, Zaim Thaçi e pranon se në këtë komunë ka mungesë të unëtorëve shëndetësor.

Thaçi  në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka thënë se në QKMF-në e Podujevës është numër i kufizuar i punëtorëve shëndetësor, derisa ka shtuar se ka pas kërkesa të vazhdueshme për rritje të stafit, por që sipas saj numri është i kufizuar nga Ministritë përgjegjëse.

“Në QKMF-Podujevë është numri i kufizuar i punëtorëve shëndetësor (246 ), ndërsa  nevojat- kërkesat janë të mëdha për punëtor shëndetësor. Ekziston kërkesë e vazhdueshme për rritje te stafit shëndetësor ne QKMF, por numri është i kufizuar nga Ministritë gjegjëse. Kërkesat për plotësim të numrit të punëtorëve shëndetësor Brenda limiteve i paraqiten  Drejtorisë se Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe DSHMS-ja i procedon kërkesat  për plotësimet vendeve te lira të punës”, ka thënë Thaçi.

Edhe drejtoresha për Shëndetësi në komunën e Kamenicës, Suna Zajmi-Krasniqi duke folur për lajmi.net e ka pranuar se kanë nevojë për punëtore të rinj, por që ka shtuar së nuk mund të dalin jashtë numrit të caktua.

“Ne si komunë e kemi numrin e kufizuar të punëtoreve Shëndetësore ( mjek, infermier, laborant…). Kemi nevojë për punëtore të rinj. Por jashtë nurit të caktuar nuk mund të dalim. Ne rast se ndonjë mjek apo punëtore tjetër shëndetësore, del në pension apo për shkaqe të ndryshme e len vendin e punës, automatikisht hapet konkursi për punëtore të ri”, ka thënë Zajmi-Krasniqi

Në anën tjetër drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola, ka thënë se në disa fshatra në Ambulanta mund të ketë mungesa kohë pas kohe, por që ka shtuar se në QMF-të çdo ditë ka mjek.

Ajo po ashtu ka thënë se muajin e kaluar i kanë pranuar 3 mjekë dhe pritet prapë të ketë konkurse, por që thotë se nuk ka kode të lira për të pasur numër të madh të punësimeve.

“Në disa fshatra në Ambulanta që janë( AMF),mund të ketë mungesa kohë pas kohe edhe pse kanë numër të vogël të pacientëve. -Kurse siç ceket në QMF Qendrat e Mjekësisë Familja çdo ditë ka mjekë dhe nuk është mbyllur as një ditë!! -Nuk është problem ky vetëm i komunës në Gjakovë por është i të gjitha Komunave sepse janë pushimet vjetore të sezonit veror. Komuna muajin e kaluar i ka pranuar 3 mjek,dhe pritet prapë të ketë konkurse, por nuk kemi kode të lira për të pasur numër të madh të punësimeve”, ka thënë  Shehu Kola