BE: S’ka liberalizim pa përmbushjen e dy kritereve të fundit

Kosova nuk do të shënojë progres në procesin e liberalizimit të vizave përderisa nuk i përmbush dy kriteret e fundit. Kështu kanë deklaruar në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, kur janë pyetur për mundësinë e anashkalimit të kriteret të demarkacionit me Malin e Zi, ashtu siç kanë kërkuar qeveritarë të Kosovës.

Ndërkaq premtimi i Qeverisë se më së largu deri në dhjetor të këtij vitit Kosova do të futet në zonën Schengen, nuk do të përmbushet. Tanimë në agjendë as që është ratifikimi i projektligjit për shënimin e kufirit me Malin e Zi, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nuk do të ketë progres në liberalizimin e vizave nëse dy kërkesat e mbetura (demarkacioni, korrupsioni v.j.) nuk përmbushen nga ana e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së dërguar gazetës. Ata kanë kujtuar rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave më 4 maj të këtij viti, i cili duhet të votohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.