“Sistemi ndërkombëtar nuk vepron bashkërisht për të ndalur konfliktin në Libi”

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se sistemi ndërkombëtar nuk vepron bashkarisht për të ndalur konfliktin në Libi, madje nuk ka as vendosmëri për këtë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një vlerësim për axhendën e politikës së jashtme, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt në TRT Haber, Çavuşoğlu rikujtoi se Khalifa Haftar, lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë nuk ka treguar qasje për armëpushim në takimet e zhvilluara në Moskë dhe Berlin.

“Pozicioni ynë është i qartë. E kemi deklaruar edhe kur dërguam në parlament mocionin për dërgimin e trupave se me hapat që hedhim do të sigurojmë balancën këtu. Në Libi do të vendosim armëpushimin me këtë balancë”, shtoi kryediplomati turk.

Çavuşoğlu rikujtoi se nëpërmjet hapave që kanë hedhur presidenti Recep Tayyip Erdoğan me presidentin rus Vladimir Putin janë bërë thirrje për armëpushim me 8 janar.

– Shkeljet e Haftarit

Pas kësaj thirrjeje, Çavuşoğlu tha se kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) Fayez al-Sarraj dha mbështetje ndaj kësaj thirrjeje.

“Edhe nga Haftari pritëm një thirrje të tillë. Rusët do të bindnin Haftarin ndërsa ne Sarraj. Në Moskë Sarraj e nënshkroi dokumentin ndërsa Haftar u largua pa e nënshkruar. Shkuam në Berlin, ku Haftar me presionin e Rusisë tha që ‘edhe unë e mbështes këtë deklaratë‘, por që asnjëherë nuk e zbatoi këtë në terren. Ai vazhdoi shkeljet e tij. Konferenca e Berlinit arriti sukses falë përpjekjeve tona”, tha Çavuşoğlu.

Në fjalën e tij Çavuşoğlu rikujtoi se Haftar nuk dha mbështetje as ndaj deklaratës së përbashkët që doli si rezultat i Konferencës së Berlinit.

“Pavarësisht se të gjitha vendet treguan përpjekje, Haftar nuk erdhi madje as në vendin e takimit. Ne e dinim se Haftar pas këtyre zhvillimeve do të vazhdonte shkeljet e tij dhe në të vërtetë këto shkelje vazhduan. Së fundmi edhe Sarraj deklaroi tërheqjen nga bisedimet pas sulmeve të fundit ndaj portit të Tripolit. Për këtë arsye angazhimet tona dhe të gjithëve, janë të lidhura me armëpushimin. Sepse nëse armëpushimi nuk vazhdon është shumë e vështirë të kalohet në procesin politik”, tha ai.

Çavuşoğlu tha se nuk mund të pritet kalimi në procesin politik ndërkohë që vazhdojnë konfliktet. “Bota e dënon, por çfarë po bëhet për ta ndaluar Haftarin? Fatkeqësisht sistemi ndërkombëtar nuk mund të veprojë bashkarisht për të ndalur konfliktin në Libi, madje nuk ka as vendosmëri për këtë çështje. Në Berlin e theksuam se kjo duhet të vendoset plotësisht dhe në mënyrë të detyrueshme në proceset e ardhshme”.

– Racizmi në Evropë

Çavuşoğlu gjithashtu ka përmendur edhe kërcënimet për bomba ndaj xhamive kohën e fundit në Gjermani dhe ka tërhequr vëmendjen se racizmi në Evropë ka arritur në përmasa shumë të rrezikshme.

“Sot muslimanët ndodhen në objektiv, nesër kjo modë ndryshon, gjë e cila ka filluar të ndryshojë. Dalëngadalë ka filluar të dalë në plan të parë nacionalizmi etnik. Nëse vendet evropiane nuk mund ta ndalojnë këtë brenda vetes së saj, nesër fillon një konflikt. Dhe ky konflikt e fut Evropën në një kaos shumë të madh”, thekson Çavuşoğlu.

Lidhur me sulmet e armatosura ndaj dy kafeneve në qytetin Hanau të Gjermanisë, ministri turk tha se është e nevojshme të priten deklaratat zyrtare. “Nuk është e drejtë për të thënë saktësisht në mënyrë përfundimtare, por sipas informacioneve paraprake thuhet se sulmi ka motive të racizmit. Por, ne do të presim deklaratën përfundimtare”, tha Çavuşoğlu.