Siri, sulmet në Idlib shkaktojnë largimin e 47.000 personave për 3 ditë

Rreth 47.000 civilë kanë braktisur Idlibin në zonën e deeskalimit në veriperëndim të Sirisë në tre ditët e fundit, ka njoftuar një organizatë joqeveritare siriane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetarit të AA-së, regjimi i Bashar al-Asadit dhe aleatët e tij kanë ndërprerë sulmet ajrore në Idlib.

Megjithatë, civilët vazhdojnë të largohen nga rajoni në zonat në afërsi të kufirit turko-sirian, thotë për AA Mohammad Hallaj, drejtori i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri.

Ai thotë se nëse sulmet vazhdojnë, ekziston frika se një valë e re e migrantëve mund të shfaqet nga rajoni Jebel ez-Zawiyah në jug të Idlibit, që do të rrisë në 500.000 numrin e të zhvendosurve në dy muajt e fundit.

Më 20 dhjetor regjimi i Asadit dhe aleatët e tij nisën një fushatë ushtarake kryesisht në qytetet Maarat Al-Numan and Saraqib, si dhe në zonat rurale përreth, duke marrë nën kontroll 35 zona të banuara.

Sulmet ajrore në rajon u ndalën pas vizitës së një delegacioni turk të udhëhequr nga Zv/ministri i Jashtëm Sedat Önal në Moskë më 23 dhjetor.

Sipas të dhënave në organizatës joqeveritare siriane, ka arritur në 264.000 numri i civilëve që kanë braktisur Idlibin që na nëntori.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Që atëherë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë në sulme nga regjimi dhe forcat ruse në zonën e deeskalimit ndërsa armëpushimi vazhdon të shkelet.

Mbi një milion sirianë kanë lëvizur në afërsi të kufirit turk për shkak të sulmeve intensive në vitin 2019.

Sipas Koalicionit Kombëtar për Forcat Revolucionare dhe Opozitare Siriane, në provincën Idlib jetojnë rreth tre milionë civilë, 75 për qind prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.

Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke u bërë vendi që ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve në botë.

Sipas të dhënave zyrtare, Ankaraja zyrtare deri më tani ka harxhuar rreth 40 miliardë dollarë për refugjatët.