Siri, në sulmin ajror në Idlib vriten disa civilë

Tre civilë kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë lënduar në një sulm ajror gjatë transferimit në pikën kontrolluese të Turqisë në qytetin Idlib të Sirisë, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne fuqishëm e dënojmë sulmin i cili shkel marrëveshjet ekzistuese, bashkëpunimin dhe dialogun me Rusinë”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Më herët, një transferim i trupave në Idlib u iniciua për të garantuar sigurinë e pikës kontrolluese numër 9, për të mbajtur të hapura rrugët e furnizimit dhe për të parandaluar viktimat civile në rajon, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Sulmi ndodhi në orën 08:55 sipas kohës lokale dhe vrau tre civilë dhe plagosi 12 të tjerë në karvanin turk.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Megjithatë, regjimi në vazhdimësi i ka thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së deeskalimit.

Zona e deeskalimit aktualisht është e banuar nga katër milionë civilë, duke përfshirë edhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre nëpër vite në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Siria ka mbetur e bllokuar në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Asadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Që atëherë, sipas shifrave të OKB-së, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.