Si u festua anekënd botës Kurban Bajramin

Muslimanët anekënd botës u mblodhën në xhamitë për të falur namazin e Bajramit në ditën e parë të festës katërditore të Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Azi

Muslimanët kinezë u mblodhën në Xhaminë Niujie në kryeqytetin Pekin, ku policia ndërmori masa shtesë të sigurisë.

Xhamia, e cila është ndër më të vjetrat në vend, ishte e mbushur me qindra besimtarë muslimanë që falën namazin e Bajramit dhe uruan njëri-tjetrin.

Islami praktikohet në Kinë për më shumë se 1.400 vjet dhe 10 nga 56 grupet etnike janë kryesisht muslimanë.

Në Kirgistan, qindra muslimanë u mblodhën para ndërtesës së kryeministrisë për të falur namazin. Gjatë predikimit, myftiu nënvizoi rëndësinë e durimit, faljes, shkëmbimit të dhuratave dhe tha se mishi i kurbanëve duhet t’u jepet atyre që kanë nevojë.

Në Uzbekistan, mijëra njerëz u vendosën në xhami herët në mëngjes. Disa njerëz u panë duke u lutur në rrugë për shkak të xhamive të mbipopulluara. Forcat e sigurisë mbyllën disa rrugë dhe masat e sigurisë u morën rreth xhamive.

Muslimanët në kryeqytetin e Kazakistan, Nur Sultan, falën namazin e Bajramit në 11 xhami para se të fillonin therjen e kurbanëve.

Muslimanët në rajonin Bangsamoro, që së fundmi fitoi autonominë në Filipine, festuan për herë të parë festën e Kurban Bajramit.

Një numër i madh i besimtarëve, përfshirë gra dhe fëmijë, morën pjesë në lutjen e Bajramit.

Imami Ali Abdul-Rashid, i cili drejtoi namazin e Bajramit dhe mbajti predikime, tha se muslimanët mund të shpëtonin nga problemet vetëm nëse bëhen të bashkuar.

Evropë

Muslimanët që jetojnë në kryeqytetin suedez të Stokholmit u mblodhën në xhamitë më të afërta në mëngjes herët për faljen e namazit.

Masat e sigurisë u shtuan në xhamitë në të gjithë vendin për shkak të një sulmi të armatosur të shtunën në Xhaminë e Qendrës Islamike Al-Nur në Barum, Norvegji.

Në Rusi, të gjitha rrugët që çojnë në Xhaminë Qendrore të Moskës ishin të mbyllura për trafik për shkak të namazit të Bajramit.

Më shumë se 100.000 muslimanë e falën namazin, në xhami dhe si dhe në rrugë.

Presidenti rus Vladimir Putin uroi ditën e shenjtë islame me një mesazh në të cilën tha se Bajrami “forcon vlerat e përjetshme siç janë dashuria, mirësia dhe dhembshuria”.

Myslimanët që jetojnë në Gjermani u mblodhën në xhamitë në kryeqytet, veçanërisht Xhaminë Hagia Sophia në qytetin Moabit, për të falur namazin e Bajramit.

Mijëra myslimanë që jetojnë në qytete të ndryshme të Italisë gjithashtu falën namazin e Bajramit.

Komuniteti turk që jeton kryesisht në qytetet veriore të vendit, u mblodh për faljen e namazit.

Lindja e Mesme

Qytetarët turkmenë, kurdë dhe arabë falën namazin në Xhaminë Grand Nur në qytetin Kirkuk të Irakut.

Njerëzit u lutën për paqen dhe stabilitetin e Kirkukut, Irakut dhe botës Islame.

Muslimanët e kombësive të ndryshme u lutën së bashku në Xhaminë Sanhouri në Khartoum, kryeqytetin e Sudanit.

Në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, miliona muslimanë morën pjesë në lutjet e Bajramit në xhami dhe sheshe publike në të gjithë vendin, në një atmosferë festive të shoqëruar me masa të rënda sigurie.

Afrikë

Në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa, qindra mijëra muslimanë u mblodhën për namazin e Bajramit brenda dhe rreth stadiumit të vjetër të qytetit i cili ndodhet në qendër të kryeqytetit.

Etiopia ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Afrikën Sub-Sahariane, ku muslimanët përbëjnë 34 për qind të popullësisë prej mbi 100 milionë banorëve.

Në Ugandë, namazi i Bajramit u fal në të gjithë vendin.

Lutjet i ka udhëhequr Myftiu i Ugandës, Sheik Shaban Ramadhan Mubaje.

Ai u bëri thirrje muslimanëve në Uganda që gjithmonë të sillen mirë dhe të jenë bujar ndaj të varfërve.

Muslimanët në Gana që jetojnë në qytete të ndryshme të vendit gjithashtu mbushën xhamitë, duke veshur kostume tradicionale.

Pas namazit, shumë besimtarë filluan të therin kafshët e tyre, një ritual që përkujton gatishmërinë e Profetit Ibrahim, për të sakrifikuar djalin e tij sipas urdhrit të Zotit.

Festimet fillojnë me faljen e namazit të Bajramit që pasohet nga sakrifikimi i kafshëve. Mishi i kafshës së sakrifikuar duhet t’u ndahet atyre që janë në nevojë.

Besimtarët muslimanë vizitojnë të afërmit dhe fqinjët e tyre dhe i japin dhurata njëri-tjetrit. Të rinjtë puthin duart e pleqve në shenjë respekti.

Dita e shenjtë është gjithashtu një shans për bamirësi, tubime shoqërore, ushqime festive dhe dhurata.

SHPËRNDAJE