Si të lehtësoni dhimbjet e shkaktuara nga ngërçet e muskujve

Ngërçet kanë të bëjnë me tkurrjen e fortë dhe të dhimbshme të muskujve. Lloji më i zakonshëm i ngërçit prek muskujt e pulpës dhe kofshëve, duke penguar shtrirjen e plotë të këmbës.

Mjaft shpesh ngërçet prekin edhe muskujt e pëllëmbëve të duarve, në mënyrë të veçantë gishtin e unazës dhe të voglin, duke penguar shtrirjen e tyre, teksa më të rralla janë ngërçet e krahëve. Dhimbjet e ngërçit janë shumë të forta.

Pacienti ndalon çfarëdo aktiviteti që është duke kryer dhe përpiqet ta lehtësojë atë. Ngërçi shpeshherë mund të na zgjojë edhe nga gjumi, në mënyrë të veçantë me dhimbje barku, ose dhimbje të forta të pulpës së këmbës.

Në drejtim të parandalimit, mjekët thonë se kur ngërçet përfshijnë muskujt e këmbëve dhe të krahëve, është mirë që të masazhojmë lehtë muskulin e prekur, duke tentuar të shtrijmë lehtësisht këmbën, ose krahun.

Mund të përdoren gjithashtu kompresa të ngrohta. Ilaçet në përgjithësi nuk janë të nevojshme për të trajtuar një ngërç të zakonshëm, duke përfshirë këtu edhe shumicën e dhimbjeve të barkut, të cilat në përgjithësi largohen spontanisht.

Natyrisht, që kur dhimbjet janë të shpeshta dhe shumë të forta, duhet të këshillohemi me mjekun për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Për njerëzit që merren me aktivitete sportive ka rëndësi hidratimi i mirë para, gjatë dhe pas aktivitetit. Kujdes duhet të bëjnë gratë gjatë shtatëzanisë për të marrë suplemente me kalcium dhe magnez, sipas këshillimit të mjekut gjinekolog.

Përgjithësisht ecuria e krampeve muskulare nuk paraqet rreziqe për shëndetin.

Gjithashtu, duhet të shmanget edhe lodhja e tepruar, veçanërisht gjatë stinës së nxehtë. Ndërsa në rastet kur ngërçi është i lidhur me humbjen e lëngjeve dhe elektrolitëve, që është edhe rasti më i shpeshtë është e rëndësishme terapia zëvendësuese, madje konsiderohet thelbësore.

Sipas bluzave të bardha, për zëvendësimin e elektrolitëve rekomandohet lëngu i kumbullave të thata (përmban kalium), lëngu i portokallit (përmban kalcium), djathi, kosi, qumështi (për kalciumin), patatet, bananet (për kaliumin).

SHPËRNDAJE