Si ta presim muajin e madhërueshëm të Ramazanit

Muaji i Ramazanit është muaji i ndryshimeve të mëdha. Ai e bën agjëruesin të ndihet në gjendje tjetër fizike dhe shpirtërore. Në muajin e Ramazanit ndryshimi është shumë më i lehtë se në çdo kohë tjetër. Prandaj, i mençur është ai që din ta presë dhe ta shfrytëzojë muajin e Ramazanit. Pritja sa më e mirë e Ramazanit kërkon prej besimtarit një proces të plotë ndryshimi në mënyrë që të përsoset në aspektin shpirtërorë, imanorë dhe moral. Për të arritur një përmirësim dhe një ndryshim rrënjësorë dhe për të përfituar në maksimum nga bujaria e Allahut xh.xh. që derdhet posaçërisht për agjëruesit në këtë muaj të bekuar po përmendim disa hapa që duhet ti ndjekë agjëruesi në fillim të Ramazanit.

1.      Mbështetja në Allahun xh.xh. (Besimtari duhet ti mbështetet Allahut xh.xh. dhe ti lutet atij me përgjërim që t’ia mundësojë arritjen e muajit të Ramazanit si dhe agjërimit në të.)

2.      Nijeti. (Besimtari duhet të bëjë nijetin e tij të pastër dhe të sinqertë se do të agjërojë muajin e Ramazanit. Të bëjë nijetin duke qenë i bindur në shpërblimin dhe obligueshmërinë e agjërimit.)

3.      Pendimi i sinqertë. (Në muajin e Ramazanit besimtari duhet ta fillojë agjërimin e tij i penduar nga të gjitha ato vepra të ndaluara dhe të urryera te Allahu xh.xh. Të japë besën me veten e tij se në këtë muaj do të ndodhë ndryshim rrënjësorë dhe nuk do të kthehet më në kryerjen e atyre veprave. Për të arritur këtë qëllim agjëruesi duhet të shtojë istigfarin, dhikrin, adhurimet, lutjet dhe duatë e tij, ti lutet Allahut me përgjërim që t’ia pranojë pendimin dhe t’ia mundësojë kthimin në rrugën e drejtë.)

4.      Mësimi i rregullave të agjërimit. ( Përpara se të fillojmë agjërimin e muajit të Ramazanit duhet të grumbullojmë literaturën dhe lexojmë informacionin e duhur rreth rregullave të agjërimit, moralet që duhen ndjekur, rregullat e fikhut në lidhje me çfarë e prish dhe nuk e prish agjërimin, çfarë pëlqehet dhe nuk pëlqehet të kryhet gjatë agjërimit, etj. Informacione të tilla ia mundësojnë agjëruesit të përfitojë në maksimum nga agjërimi i tij dhe ti shmanget gabimeve sporadike që ndodhin me shumicë te shumë agjërues.)

5.      Shtimi i veprave të mira. (Agjëruesi duhet të lidhë besën me veten e tij se gjatë muajit të Ramazanit do ti shtojë veprat e mira, si leximi i Kuranit, shtimi i sadakasë, itikafi në xhami nëse është e mundur, lidhjet farefisnore, shtimi i adhurimeve nafile, shtimi i duasë dhe dhikrit, kërkimi i hallallit nga të gjithë ato njerëz që mund tu ketë hyrë në hak apo dëmtuar. Të kujtojë vazhdimisht se në muajin e Ramazanit farzet kanë vlerën e 70 të tillëve dhe se sunetet kanë vlerën e farzeve.)

6.      Shoqërimi me njerëz të ditur dhe të devotshëm. (Përpara se të fillojë agjërimi, besimtari duhet ti kërkojë dhe të shoqërohet me ato njerëz që kanë njohuri fetare, shquhen për devotshmëri dhe qëndrueshmëri në praktikimin e fesë së Allahut, ti pyesë ata rreth rregullave dhe veprave të pëlqyera gjatë agjërimit dhe të jetë i lidhur me mexhliset e dijes dhe përmendjes së Allahut xh.xh.)

SHPËRNDAJE