Si mundet SHBA të shkatërrojë një organizatë terroriste duke bashkëpunuar me një tjetër?

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se nuk mund të kuptojë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) synojnë të shkatërrojnë një organizatë terroriste duke bashkëpunuar me një tjetër, duke iu referuar bashkëpunimit amerikan me organizatën terroriste PYD, zgjatim i organizatës terroriste PKK në Siri, në operacionin në Raka të Sirisë për çlirimin e qytetit nga organizata terroriste DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në Siri është organizata terroriste DEASH, megjithatë, në veri të Sirisë ka edhe një organizatë tjetër terroriste. Ajo është zgjatimi i organizatës terroriste PKK, që njihet në Turqi. Organizata terroriste PYD/YPG është organizatë terroriste me të cilën Amerika lufton bashkarisht kundër organizatës terroriste DEASH në operacionin në Raka. Unë nuk mund ta kuptoj se si një shtet që beson në demokraci do të shkatërrojë një organizatë terroriste duke bashkëpunuar me një organizatë tjetër terroriste”, tha Erdoğan në fjalën e tij në Forumin Global të Biznesit Bloombergnë New York.

Erdoğan shtoi se mbi tre mijë maune me mbështetje kanë arritur nga Iraku për këto organizata terroriste në Siri. “Aty ka tanke, artileri, autoblinda të mëdha, municione. Mbi tre mijë maune. Tani, unë, si Turqi, mendoj: Kush mund të më garantojë se këto armë të rënda që kanë ardhur në Siri nesër nuk do të përdoren kundër meje”, theksoi ai.

Presidenti turk ka folur edhe në lidhje me “referendumin për pavarësi” të qeverisë rajonale kurde të Irakut, të planifikuar për më 25 shtator, duke riafirmuar qëndrimin se referendumi i tillë është i gabuar dhe duke uruar që kreu i qeverisë rajonale kurde Mesut Barzani dhe ekipi i tij të heqin dorë deri më atë datë.

“I kam dërguar përfaqësuesit e mi te Barzani. I kam thënë që të mos bëjë një gabim të këtillë, sepse ne jemi shtet që u kemi ndihmuar sa herë që kanë pasur nevojë. Ne jemi fqinj që ndajmë një kufi të gjatë 350 kilometra. Ju keni të afërm farefisnorë te ne, e në të njëjtën mënyrë, edhe ne kemi të afërm atje”, theksoi Erdoğan.

“Fatkeqësisht, ata tani më kanë bërë gabim. Më 27 të këtij muaji, ne do të mbanim mbledhje me Këshillin e Lartë të Sigurisë. E kemi ricaktuar për më datë 22, për shkak të agjendës së Kombeve të Bashkuara. Sapo të kthehemi, ditë e premte, ne do të mbledhim Këshillin e Lartë të Sigurisë në Ankara, ku do të vendosim se çfarë sanksionesh do të zbatojmë”, shtoi presidenti turk.

Erdoğan u ndal edhe në sistemin mbrojtës ajror S-400, të cilin Turqia e ka porositur për ta blerë nga Rusia, duke thënë se Turqia është e detyruar të ketë një sistem të tillë, pasi që, siç tha, pranë Turqisë, në Siri, ka sistem të tillë.

“Këto janë hapa që ne duhet t’i hedhim për t’u mbrojtur. Ka hapa që duhet të ndërmarrim edhe lidhur me raketat balistike. Është detyrë një udhëheqësi ta mbrojë vendin, pra, është detyrë e jona ta mbrojmë Turqinë me 80 milionë banorë. Ne do të bëjmë gjithçka për këtë”, tha Erdoğan.

Ndërkaq, duke folur për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), presidenti turk tha se Turqia nuk do të marrë e para vendim për largim nga aspiratat për anëtarësim në BE, porse për këtë duhet të vendosë BE-ja. “Autoriteti i vendimarrjes është tek ata. Le ta mbyllin ata derë, ne pastaj vendosim lehtë”, tha Erdoğan.

“Ata duan që Turqia të ikë që aty, por ne asnjëherë nuk ia kemi mbathur pa u ballafaquar. Nuk ikim. Le të jenë ata që do të ikin. Të marrin vendimin, e pastaj vendimi ynë është i lehtë”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.