Si duhet të flemë?

Njerëzit kalojnë pothuajse 1/3 e jetës së tyre në gjumë. Megjithatë kjo kohë nuk është e njëjtë për çdo person. Cilësia e orëve të gjumit ndikon në orët e qëndrimit zgjuar. Për shembull, hormoni i rritjes i cili çlirohet gjatë gjumit, luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e fëmijës. Nga ana tjetër çlirohen shumë hormone dhe substanca të tjera që përfshihen në rifreskimin dhe rigjenerimin e organizmit.

A mund të jetojë njeriu pa gjumë?

Gjumi është një nga nevojat bazale të domosdoshme për vazhdimësinë e jetës ashtu si ngrënia, pirja dhe frymëmarrja. Janë bërë disa studime mbi rezistencën e njeriut ndaj pagjumësisë. Periudha kohore gjatë së cilës një person i shëndetshëm mund të qëndrojë pa gjumë është mesatarisht 3 ose 4 ditë. Nëse kjo kohë tejkalohet, fillojnë probleme si irritabilitet, harresë, mungesë e orientimit në kohë, haluçinacione, konfuzion, dridhje të duarve, inflamacion, dhimbje, belbëzim dhe turbullim i pamjes. Eksperimenti me kohëzgjatjen më të madhe është zhvilluar mbi një student në SHBA. Pas një periudhe kohore prej 11 ditësh, eksperimenti u ndërpre sepse shëndeti i tij ishte nën rrezik serioz.

Sa orë gjumë i nevojiten një njeriu të shëndetshëm?

Studime të ndryshme kanë treguar se për të bërë një jetë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, një njeriu i duhen 4-10 orë gjumë, në varësi të faktorëve gjenetikë. Kjo kohë për të rriturit është 6-8 orë. Nga ana tjetër ka studime që pohojnë se 8 orë gjumë nuk janë të domosdoshme, por 6, 5 apo 4 orë gjumë mund të jenë të mjaftueshme.

Cilat janë pasojat e gjumit të tepërt ose mungesës së tij?

Ata që flenë më shumë apo më pak se mesatarja, herët a vonë do të përballen me probleme shëndetësore krahasuar me ata që flenë mjaftueshëm dhe në mënyrë të rregullt. Në një studim të gjatë kohor, u morën në observim më shumë se 71 000 gra gjatë 10 viteve dhe u vërejtën dy pika të rëndësishme. E para, gjumi i tepërt rriste rrezikun për sëmundje të zemrës; e dyta, ata që flinin shumë përballeshin me të njëjtat probleme shëndetësore si ata që flinin pak. Gjumi i tepërt mund të shkaktojë obezitet, diabet, rritje të presionit të gjakut, ulje të vëllimit muskular, dobësim të sistemit imunitar dhe depresion.

A ka lidhje ndërmjet sasisë së gjumit dhe çlodhjes?

Ne mund të shikojmë në përvojën tonë ose atë të të tjerëve që nuk ka një lidhje direkte ndërmjet sasisë së gjumit dhe çlodhjes. Një person që fle pak mund të jetë më i çlodhur se një që fle shumë sepse i pari ka bërë një gjumë çlodhës dhe cilësor i cili është i mjaftueshëm.

Çfarë duhet të bëjmë për të pasur një gjumë cilësor?

Gjenden disa pika me rëndësi në jetën e përditshme në lidhje me gjumin mbi të cilat duhet të përqendrohemi:

– Duhet të hamë një vakt të lehtë në darkë, e pakta dy orë para gjumit. Një vakt i rëndë mban rrezikun e shfaqjes së problemeve të frymëmarrjes dhe gërhitjes. Pije të tilla si çaj, kafe dhe Coca-cola kanë efekt stimulant dhe mund të shkaktojnë pagjumësi.

– Ambienti i dhomës së gjumit është po ashtu i rëndësishëm. Ambienti ideal për një gjumë cilësor kërkon qetësi, errësirë ose dritë të ulët, temperaturë të ngrohtë dhe një shtrat i cili nuk duhet të jetë shumë i butë apo shumë i fortë.

– Duhet caktuar një orar i rregullt gjumi. Një nga kushtet për të pasur një gjumë të rehatshëm dhe cilësor është rënia dhe zgjimi në të njëjtën kohë çdo ditë të javës. Është veçanërisht e rëndësishme që kjo rregullsi të mos prishet në fundjavë. Ndërprerja e këtij ritmi në fundjavë është një nga pengesat e gjumit cilësor.

– Duhet të flemë në anën e djathtë ose në të majtën. Shtrirja në shpinë ose në bark mund të shkaktojë disa probleme. Gërhitja dhe apnea e gjumit ndodh vetëm kur shtrihemi në shpinë. Pozicioni më i përshtatshëm për të fjetur është të shtrihesh në anën e majtë apo të djathtë. Një njeri lëviz në mënyrë të pavullnetshme gjatë natës duke ndërruar pozicion 10-15 herë si shenjë e Mëshirës Hyjnore.

Cilat janë orët më të mira të gjumit?

Për të përcaktuar orët më të përshtatshme për gjumë, më parë duhet të dimë se çfarë ndodh me organizmin e njeriut gjatë gjumit në kohë të ndryshme. Ne dimë se gjëndra pineale e vendosur në trurin e njeriut funksionon si një orë e brendshme. Kjo gjëndër prodhon dhe çliron hormone të caktuar. Një nga këta është melatonina. Me anë të këtij hormoni Allahu ka mundësuar gjumin dhe rregullon ciklin gjumë-zgjim. Çlirimi i melatoninës fillon në mbrëmje dhe vazhdon deri sa arrin maksimumin në orën 2-3 të mëngjesit. Kjo do të thotë se në organizmin e njeriut është vendosur që në lindje një sistem i cili bën të mundur lehtësimin e gjumit në mbrëmje. Nga ana tjetër, ekspozimi i tepërt ndaj dritës artificiale, shikimi i televizorit gjatë natës, dhe ngacmime të jashtëm si fusha magnetike, ulin prodhimin e melatoninës, gjë e cila dëmton funksionimin normal të organizmit.

Kërkime të ndryshme kanë treguar se gjumi luan një rol me rëndësi në rregullimin e çlirimit të hormonit TSH. TSH ndihmon kontrollin e metabolizmit dhe indirekt nivelin tonë të energjisë. Prandaj, ata persona që kanë një nivel të ulët të TSH, që janë rreth 25 ose 35%, iu rekomandohet të zgjohen gjatë natës. Ky kërkim shkencor i ri është plotësisht në përputhje me traditën Profetike. Profeti flinte pak pas namazit të Jacisë (më herët se çbëjnë shumica e njerëzve sot) dhe zgjohej në orët e para të mëngjesit (në disa raste në mesnatë) për tu falur. Ky zakon i të fjeturit e ka origjinën nga Kurani Famëlartë.

Gjenden gjithashtu disa fakte interesante mbi dremitjen. Sipas disa ekspertëve koha më e mirë për të dremitur është mesdita. Një gjysmë ore dremitje e thellë dhe e qetë në mesdite është e barabartë me 2 orë gjumë gjatë natës. Për këtë arsye, kur dikush fle në mesditë ka më pak nevojë për gjumë natën. Mesdita dihet që është koha me produktivitetin më të vogël të ditës dhe njerëzve në përgjithësi u flihet në këtë kohë. Duke dremitur në këtë orë, personi i shpenzon orët e tjera të ditës duke qenë më energjik dhe më produktiv. Ky lloj gjumi praktikohet më shumë në vende me klimë të ngrohtë. Po ashtu në disa kompani në Japoni ka vende të posaçme ku punonjësit mund të flenë gjatë mesditës.

Dremitja gjatë ditës është praktikuar dhe këshilluar nga Profeti Muhamed dhe njihet me emrin “kajlule”. Koha e saj gjendet midis paradites dhe drekës. Ky lloj gjumi është pjesë e traditës Profetike duke i mundësuar personit të ngrihet natën për tu falur. Në këtë mënyrë personi përgatitet për tu ngritur për namazin e natës.

Gjenden dy kohë të tjera gjatë ditës në të cilat gjumi nuk është i këshillueshëm. E para quhet “gajlule”. Ajo gjendet midis kohës para lindjes së diellit deri 40 minuta pasi dielli ka lindur, ku namazi lejohet por nuk është i këshillueshëm. Gjumi në këtë kohë është në kundërshtim me traditën Profetike. Koha më e përshtatshme për tu përgatitur për punën e përditshme është herët në mëngjes kur është akoma freskët. Kur kalon kjo kohë, njeriu bëhet letargjik përsëri.

Përmes eksperimenteve të shumta është provuar se zgjimi herët shton produktivitetin në punë dhe për pasojë edhe të ardhurat, ndërsa e kundërta e pakëson atë.

Koha tjetër e gjumit e cila nuk këshillohet është “fajlule”. Ajo gjendet midis namazit të Ikindisë dhe perëndimit të diellit. Ky gjumë bën të mundur shkurtimin e jetës, që do të thotë se ai e bën atë ditë më të shkurtër e cila kalon në një gjendje gjysmë gjumi për shkak të letargjisë duke shkaktuar kështu një çrregullim fiziologjik. Prandaj, në një aspekt jo material, përderisa rezultati i asaj dite, material dhe jo material, bëhet i dukshëm pas namazit të Ikindisë, kalimi i kësaj kohe në gjumë është sikur të pengosh rezultatin e punës së asaj dite dhe e bën atë ditë sikur të mos ishte jetuar fare.

Si përfundim, “gjumi” i përmendur në Kuranin Famëlartë është një mirësi e madhe për të gjithë njerëzit. Sidoqoftë, ashtu si të gjitha të mirat, është e rëndësishme të gjejmë rrugën e mesme edhe me gjumin nëse duam të bëjmë një jetë të ekuilibruar dhe të përfitojmë nga kjo mirësi gjatë kohëve të këshilluara dhe me rrugët e lejuara./Mesazhi/