Shumica e shkollave sërish s’e respektuan vendimin e MASHT-it për kompensimin e orëve

Shkolla “Ismet Rraci” në Klinë, është ndër të paktat në Kosovë, që edhe këtë të shtunë, ka mbajtur mësim.

Në këtë shkollë, mësimdhënësit kanë respektuar vendimin e MASHT-it për të kompensuar orët e humbura gjatë grevës së janarit, raporton KTV.

Demë Gashi, mësimdhënës në këtë shkollë, tregon se kjo është java e dytë që ai del në punë për të kompensuar mësimin e humbur.

Nxënësit e shkollës “Ismet Rraci”, janë shprehur të gatshëm që të dalin në shkollë edhe në vikend.

Drejtori i kësaj shkollë, Gani Deliu, thotë se po e zbatojnë vendimin e marrë me shkrim nga drejtoria e arsimit.

E, Arben Limani, drejtori i arsimit në Klinë, përmes telefonit, i ka thënë KTV-së, se mësimi nuk u mbajt vetëm në tri shkolla të komunës së Klinës.

Edhe në Rahovec e Mitrovicë, disa shkolla kanë mbajtur mësim.

Megjithatë, shumica e shkollave në vend, sërish nuk e kanë respektuar vendimin.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka konfirmuar se as këtë të shtunë, asnjë shkollë në kryeqytet nuk ka mbajtur mësim.

Mësimdhënësit kishin hyrë në grevë trijavore, me kërkesën e vetme, ngritjen e koeficientit.