Më shumë më dhemb ajo që po ndodh në Shqipëri

Nga Armand Hasa

Tek po lundroja në rrjetet sociale, kalimthi më rrëmben syri titullin e një artikulli. Ndalem dhe e shikoj. Dikush pyeste nëse ‘Iu dhemb myslimanëve ajo që ndodh në Turqi?’. Edhe pse e mendoja se çfarë përmbante, prap e hapa ta lexoja. Bëhej fjalë për ngjarjet që vijuan pas grushtit të shtetit në Turqi.(shkrimi ishte botuar kohë më parë, por i risjellë në vëmendje). Në moment më vijnë një mori përgjigjesh. Të gjitha të mbushura me dhimbje. Nuk munda të rri pa folur ndaj kësaj pyetjeje. Madje, as nuk munda të rri pa I listuar. Aq shumë dhimje mu bënë saqë në pamundësi për t’I shprehur të gjitha, zgjodha të them vetëm ato që më vijnë nga ngjarjet bashkëkohore.

Më dhemb ajo çka ndodhi në Afganistan. Më dhemb ajo çka ndodhi dhe po ndodh në Irak. Më dhemb kur shikoj fëmijë që vdesin rrugëve. Më dhemb dhuna barbare, që prej vitesh vazhdon të vrasë e terrorizojë njerëz të pafajshëm në Siri. Më dhemb kur shikoj qënie njerëzore që futen në det me shpresën dhe lutjen që të dalin në anën tjetër. Më dhemb kur shikoj nëna e baballarë që me fëmijët në krah rendin kufijve të mbyllur me tela me gjemba.

Më dhemb kur shikoj që vriten njerëz rrugëve të Turqisë. Më dhemb kur shikoj mënyrën barbare të ekzekutimit të civilëve guximtarë e atdhedashës, që dalin natën të mbrojnë Turqinë e tyre. Më dhemb humbja e jetëve të çdo njeriu. Më dhemb torturimi i tyre.

Por përtej dhimjeve të shumta që kam për muslimanët e botës, kam edhe ca dhimbje për muslimanët e Shqipërisë. Më dhemb tek shikoj që besimtarë punëtorë, pushohen nga puna vetëm pse duan të falin namazin. Më shume se kjo, më dhemb që askush nuk reagon. Më dhemb kur shikoj që komuniteti musliman Shqipëtar udhëhiqet nga një psikolog, e teologët duhet t’I nënshtrohen atij. Më dhemb kur I shikoj të propagandojnë e lavdërojnë demokracinë dhe ta vrasin atë kur vjen puna ta aplikojnë brënda komunitetit musliman.

Më dhemb kur shikoj indiferencën e këtij institucioni në reagimin ndaj fushatave të komunitetit LGBTI në shkollat publike shqipëtare. Më dhemb kur shikoj ata që duhet të ishin ruajtësit e moralit, të krenohen me daljet e tyre në spote publicitare me ‘vrasës të moralit’. Më dhemb kur shikoj sesi I servilosen pushtetit, e gjenden të pamundur për të reaguar ndaj padrejtësive. Më dhemb kur shikoj pushtetarë që për vite me radhë e zhvatën popullin, të ulen në dreka e iftare me ata që ligjërojnë kundër vjedhjes. Më dhemb…

Ka aq shumë gjëra që më dhembin saqë kur I kthehem sërisht pyetjes them: – po, më dhemb ajo çka po ndodh në Turqi, por më shumë më dhembin padrejtësitë që po ndodhin në Shqipëri.