Shtyhet për një ditë tjetër draftligji për FSK-në

Draftligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me të cilin po mendohet t’i ndihmohet procesit të themelimit të ushtrisë së Kosovës, pritet që gjatë kësaj jave të dërgohet në Qeveri, ndonëse ishte paraparë që i njëjti të dërgohet gjatë ditës së sotme.

Kjo shtyrje ka ndodhur pasi që Ministria e Financave ende nuk e ka harmonizuar me kornizën afatmesme të shpenzimeve për periudhën 2019-2021 të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, as Ministria e Integrimeve nuk e ka dhënë ende pëlqimin nëse draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në FSK ka thënë për KosovaPress se Ministria me kohë i ka bërë kërkesat te Ministria e Financave për deklaratë financiare të kostos buxhetore si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draft ligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.

“Aktualisht pritet që Ministria e Financave, ta harmonizojë së shpejti me KASH-in (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2019-2021) të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas premtimeve që kemi nga këto dy ministri, Draft Ligjet e kompletuara gjatë kësaj jave do të dërgohen në Qeveri”, tha Shala.