Shtyhet ‘El Clasico’, probleme në La Liga

Ndeshja e futbollit mes Barcelonës dhe Realit të Madridit që ishte programuar për në 26 Tetor do të shtyhet në një datë tjetër. Protestat dhe incidentet që janë regjistruar pas dënimit të disa politikanëve katalanas për referendumin pro pavarësisë, kanë sjellë probleme edhe në la Liga, duke cenuar dhe përballjen më emocionuese të Spanjës, e ndoshta të gjithë globit.

Data e re e ‘El Klasikos’ mes Barcelonës dhe Realit do të vendoset të hënën por mediat iberike flasin për zhvillimin e saj në muajin Dhjetor. Barcelona kishte shfaqur oponencë ndaj propozimit fillestar për të përmbysur datat e Klasikes, pra për të luajtur fillimisht në kryeqytet e më pas për të zhvilluar fazën e dytë në Kamp Nou.

Tani zyrtarizohet që nuk do të ketë futboll në impiantin katalanas mbrëmjen e 26 tetorit, pasi siguria është në rrezik dhe po kështu edhe zhvillimi i një kalendari të rregullt. Flitet gjithmonë e më shumë tani, për vendosjen e 18 Dhjetorit si datë të lirë për Klasiken mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, dy ekipe që përveç rivalitetit në futboll përfaqësojnë dhe dy filozofi të ndryshme në sport dhe aspekte sociale dhe politike, e që po reflektohen edhe mes protestave këto ditë.

SHPËRNDAJE