Shtron sofrën për djemtë e vrarë, Ferdonie Qerkezi rrëfen tmerrin (VIDEO)

Shtron sofrën për fëmijët që si ka më. E bukën e ha mes lotësh. E rrethuar me fotografitë, rrobat e gjësendet e tyre, e shtyn jetën, e cila thotë se për të ka qenë e rëndë dhe e padrejtë. Kjo është Ferdonie Qerkezi, të cilës ia vranë burrin dhe katër djemtë.

Ata ia morën më 27 mars të vitit 1999, për të mos u kthyer kurrë më. E shtëpia e madhe i mbeti e zbrazët, e ftohtë akull ashtu si dhe zemra e saj, e cila ngriu, në momentin që ia morën nga duart, fëmijët të cilët i rriti.

Tregon për ta, e fytyrën e saj e vërshojnë lotët. Thotë se njeriu qenka më i fortë se guri dhe se mund ta përballojë dhe këtë dhimbje kaq të madhe.

Mes lotëve dhe trishtimit, rrëfen ngjarjen rrëqethëse të asaj nate me shi, kur ia morën djemtë dhe burrin e saj, e me ta ia morën dhe buzëqeshjen, gëzimin, e lumturinë që kishte dikur.

Megjithëse i priste çdo ditë, për pesë vjet me radhë se kur do t’i dëgjonte hapat e tyre teksa ktheheshin në shtëpi, shpresa iu shua atë ditë që mori lajmin që janë gjetur trupat e dy djemve të saj Edmondit dhe Artanit. Ndërsa për bashkëshortin, Armendin dhe Ardianin ende nuk di asgjë..

E për të nuk ekzistojnë as festat e fund vitit, e as dritat e qytetit. Pasi që u shuan përjetë, katër dritat e syve të saj.

E ajo po thotë se në shtëpi nuk e pret askush tjetër përveç fotografive të familjarëve të vrarë.

Për më shumë ndiqeni videon e plotë: