Shtëpia e Mahmut Pashë Gjinollit, objekti i vjetër në Vushtrri që ka kryer shumë funksione (Video)

Ishte shpërngulur nga Podujeva në këtë lagje, që nga mosha tetë vjeçare. Aty ku gjendet njëra ndër shtëpitë më karakteristike të këtij qyteti, ajo  e Mahmut Pashë Gjinollit. 

Që nga atëherë, kujtimet i ka të freskëta për këtë objekt, i cili gjendët në pjesën perëndimore të Vushtrrisë.

Ruhan Mustafa, 78 vjeç, ka thënë se ky objekt, kishte pasur shumë funksione – jo vetëm shtëpi banimi.

“Kam qenë tetë vjeçar, kur e mbaj mend se ky objekt ka kryer funksionin e spitalit. Pas një kohe këtu afër është ndërtuar spitali i ri. Në vitin 1979 kanë ndodhur vërshimet, dhe në këtë objekt kanë ardhur për strehim disa familje. Ky objekt ka vlerë shumë, sepse është shumë i vjetër”, shprehet i moshuari Ruhan Mustafa për RTV Dukagjinin.

Shtëpia e Mahmut Pashë Gjinollit, që llogaritet një ndër shtëpitë më të vjetra në këtë qytet gjendet afër gurgullimës së lumit Tërstena.

Me një çati në formë kupole, kjo shtëpi njihet si njëra ndër objektet më karakteristike.

Historiani Izet Miftari, ka thënë se kjo shtëpi mendohet të jetë ndërtuar në fund të shekullit XIX-të, si shtëpi banimi.

“Vushtrria njihet edhe si qytet që posedon shumë monumente kulturore-historike. Njëra ndër to është edhe shtëpia e Mahmut Pashë Gjinollit. Sipas të dhënave që posedojmë, kjo shtëpi daton që nga shekulli XIX. Sipas konsullit serb në Prishtinë, Nushiq, në këtë shtëpi ka qenë “kaimekami”, apo si të themi qeveritari i Kazasë së Vushtrrisë. Kazaja ka qenë një njësi administrative më e vogël se sanxhaku në kohën e Perandorisë Osmane”, deklaroi Izet Miftari.

E gjitha e ndërtuar me gur, ka një pamje interesante. Ndërsa ajo që e dallon, është  çatia, e cila është e përbërë nga druri i bungut.

Në mes të kësaj ndërtese, është e vendosur ora, dikur në funksion, e cila tregonte kohën për qytetarët që endeshin andej pari.

Me ngjyrë të verdhë, me orën e vendosur në mes e më  shumë dritare, shtëpia e Mahmut Pashë Gjinollit, i jep pamje tërheqëse gjithë qytetit.

Ruhan Mustafa ka thënë se ky objekt do të mbetet një ndër më të veçantit për të, sepse aty ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/