Shtëpia e Bardhë nuk do të marrë pjesë në hetimet për shkarkimin e presidentit

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në hetimet për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump që do të zhvillohen nga Komiteti i Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke i dërguar një letër kreut të Komitetit të Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në hetimet për shkarkim në Komitet.

“Siç e dini, ky hetim për shkarkim është plotësisht i pabazë dhe gjithashtu shkel parimet themelore të procesit ligjor dhe të drejtësisë. Pavarësisht kësaj, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka bërë thirrje për fillimin e shkrimit të neneve për shkarkim, pa dëgjuar ndonjë provë nga komiteti juaj”, thuhet në letrën e dërguar nga Shtëpia e Bardhë.

Po ashtu në letrën ku mbrohet ideja se demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve po humbin kohën e tyre kot, bëhet thirrja: “Duhet t‘i jepni fund menjëherë këtij hetimi dhe mos humbisni më kohë duke zhvilluar më shumë seanca”.

Në letër janë potencuar edhe fjalët e presidentit Trump, se “Nëse do të më shkarkoni mua bëjeni menjëherë dhe shpejtë, në mënyrë që të zhvillohet një gjykim i drejtë në Senat”.

Shtëpia e Bardhë në letrën e saj drejtuar Jerrold Nadler, ka ndarë edhe mendimin se “Pranimi i neneve të shkarkimit nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve do të jetë iniciativa më e padrejtë për shkarkim në historinë e Amerikës, me anshmërinë më të lartë partizane dhe më e kundërshtueshmja e kushtetutës”.

– Hetimi për shkarkimin e Trumpit

Hetimet për shkarkim nisën pas raportit të një informatori i cili ka pretenduar se gjatë një bisede telefonike në korrik Trump i ka vendosur presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si kusht hetimin e rivalit Joe Biden dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA të ndihmojë Ukrainën.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, demokratja Nancy Pelosi, më 24 shtator njoftoi se kanë filluar hetimin për shkarkimin e Trumpit me arsyen se “ka dëmtuar sigurinë kombëtare të SHBA-ve” dhe se “ka tradhtuar betimin presidencial”.

Më pas, Shtëpia e Bardhë më 25 shtator publikoi transkriptin e bisedës telefonike Trump-Zelensky duke mbrojtur mendimin e saj se nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës dhe bisedës.

Në një votim të zhvilluar më 31 tetor në Dhomën e Përfaqësuesve u miratuan procedurat për hetimin e shkarkimit dhe u vendos që seancat të ishin publike. Ndërkoqë seancat publike në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve u zhvilluan gjatë periudhës 13-21 nëntor.

Komiteti i Inteligjencës për opinionin publik shpalosi raportin prej 300 faqesh ku akuzohet Trump ndërsa raportin në fjalë e dërgoi në Komitetin e Drejtësisë. Komiteti në fjalë seancën e parë për hetimin e shkarkimit e zhvilloi të mërkurën, ndërsa njoftoi se seancën e dytë do ta zhvillojë të hënën.

Sipas ligjeve amerikane, do të kalohet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Përfaqësuesve në rast se nga Komiteti i Drejtësisë miratohet kërkesa për shkarkim si rezultat i raportit të hetimit që përgatitet nga komitetet përkatëse.

Nëse merr një shumicë absolute nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, drafti në fjalë këtë herë shkon në Senat në të cilin shumicën e kanë republikanët dhe më pas do të fillojë procesi i gjykimit ndaj presidentit Trump.

Që nga dita e parë, Trump mbron idenë e tij se është i pafajshëm dhe hetimin për shkarkim e ka cilësuar si “një gjueti shtrigash të demokratëve të cilët nuk gjetën atë që shpresonin në hetimin rus”.