Shtatori, afati i fundit për agjendën evropiane të reformave

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka shprehur besimin se institucionet vendore do të ketë angazhim më të madh në mënyrë që të përmbyllet me sukses agjendën evropiane të reformave, duke thënë se afati i fundit për këtë do të jetë muaji shtator.

Ajo këto komente i bëri gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, me ç’rast shprehu përkushtimin e Ministrisë për Integrime Evropiane për mbështetjen në mënyrë që agjenda evropiane e reformave të implementohet sa më shpejt.

“Kemi marrë premtime që të gjitha do të përfundojnë deri në fund të shtatorit, afat që po mendojmë ta përmbushim komplet ERA-n. Ne do të arrijmë që afatin e shtatorit ta zëmë dhe agjenda evropiane e reformave të përmbushet. Jemi duke punuar ngushtë dhe me Kuvendin që të sigurohemi që prioritetet po përmbushen”, u shpreh ajo.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se prioritet i kësaj ministrie është fuqizimi i Prokurorisë Speciale, ku do të rritet numri i prokurorëve.

“Falë një bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, e kemi rritur buxhetin për këshillin gjyqësor dhe prokurorial. Do të kenë staf mbështetës rreth 300 të rinj për vitin 2018. Jemi në rekrutimin të 39 gjyqtarëve të rinj në gjykatën themelore”, tha ai.

Për më tepër, ministri i Drejtësisë tha se është duke u punuar me intensitet edhe në Kodin e procedurës penale, i cili pritet të miratohet në qeveri në muajin shtator, ndërkohë që Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë sot kalon në qeveri.

“E kemi përmbyll në masë të madhe projektligjet që lidhen me luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kemi bërë avancim të madh”, tha ai.