Shqetësuese lojërat e fatit në Kosovë, disa prej tyre me pronarë nga Shqipëria

Pas luftës në Kosovë janë hapur një numër i madh i lokaleve të lojërave të fatit dhe bastoreve.

Përderisa në Shqipëri po mbyllën, në Kosovë ka shtim të numrit të tyre. Madje, 19 biznese të tilla të cilat veprojnë në Kosovë, janë me pronar nga Shqipëria.

Në një përgjigje të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve bëhet e ditur se numri aktual i bastoreve dhe lojërave të fatit është 352.

Ndërsa, në një përgjigje të Agjencisë Tatimore të Kosovës për Indeksonline thonë se pikat e bastit të licencuara dhe që monitorohen nga ATK janë 301 njësi. Kurse, lokale me automate gjithsej janë 135.

Lojërat e fatit shpesh bëjnë shkelje ligjore, për çka shumë gjoba janë lëshuar nga ATK.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nga parregullsitë janë mbyllur 301 lokale të lojërave të fatit gjatë vitit 2018. Ndërsa, vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milionë euro.

“Për vitin 2018 janë zhvilluar 1,553 (janar-dhjetor 2017 janë zhvilluar 1,375) aktivitete në teren, ku si rezultat janë konstatuar edhe shkelje të ndryshme ligjore, të cilat janë bërë nga individ të cilët menaxhojnë këto veprimtari. Nga parregullsitë e gjetura në teren janë mbyllur 301 lokale të lojëra të fatit (në vitin 2017 janë mbyllur 198), ku numri i gjobave arrin në 700, ndërsa vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milionë euro (vitin 2017 vlera e gjobave ishte 1.2 milion euro)”, ka thënë ajo.

Ndërsa, vetëm në muajin janar të këtij viti janë mbyllur 15 lokale dhe janë lëshuar 47 gjoba.

Në vitin 2012, 2013, 2014, dhe 2015 nuk është mbyllur asnjë lokal, për dallim nga tri vitet e fundit, ku për shkak të veprimtarisë së paligjshme janë mbyllur 695 lokale.

Nga viti 2012 e gjerë tani, numri i punëtorëve të punësuar në lojëra të fatit është 6 mijë e 568 persona.

Ndërsa, numri total i gjobave është 2 mijë e 237, ku vlera e tyre kalon tre milionëshin, përkatësisht 3,468,650,00 euro.

Ndryshe, ndër komunat që ka marrë masa ndaj veprimtarisë së paligjshme që ushtrojnë disa prej tyre, është Drejtoria e Inspeksionit në Drenas e cila është e vendosur që të mos e lejojë ushtrimin e veprimtarisë të asnjë lokali të lojërave të fatit që nuk posedojnë dokumentacionin e duhur.

Pa dokumentacion përkatës në kë komunë janë mbyllur 33 lokale të lojërave të fatit gjatë muajit Dhjetor 2018 dhe Janar 2019.