“Shpikja” e koordinatorëve nga Qeveria Haradinaj, s’ndalen emërimet e reja

Megjithë numrin e madh të zëvendësministrave e zyrtarëve tjerë, Qeveria Haradinaj nuk e ka ndërmend t’i ndalë emërimet e reja politike.

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Burim Ramadani që aktualisht mban pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, u emërua koordinator Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO, shkruan lajmi.net.

Ramadani u bë koordinatori i katërt në qeveri, pas Rexhep Hotit që mban pozitën e koordinatorit Nacional për Kulturë, Besnik Tahiri, koordinator nacional për Reforma Shtetërore dhe Mendim Rugovës që mban pozitën e koordinatorit Nacional për Ndryshime Klimatike.

Për funksionin e Ramadanit në pozitën e koordinatorit, lajmi.net ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo të njëjtit kanë qenë shumë të shkurtë në përgjigje.“Burim Ramadani do të ushtrojë funksionin në procesin e Integrimit dhe anëtarësimit në NATO”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës, duke refuzuar t’iu përgjigjen pyetjes nëse Ramadani do të ushtrojë edhe postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Lajmi.net ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga vetë Burim Ramadani, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm për prononcim.
Ramadani përmes një postim në Facebook, i shpreh falënderime kryeministrit Haradinaj për besimin e dhënë ku thotë, se anëtarësimi i Kosovës në NATO ka përkrahje unanime popullore.E koordinatorët në Qeverinë e Ramush Haradinajt nuk do të jenë të vetëm.

Sipas ligjit, ata kanë të drejtë t’i emërojnë tre këshilltarë si pjesë e kabinetit të tyre. Madje rroga e tyre u afrohet edhe e atyre të ministrave.

Haradinaj ishte kritikuar shumë për emërimin e këtyre koordinatorëve, duke vënë në pah nevojën e vogël për ekzistimin e këtyre pozitave.Kjo duke marrë për bazë faktin që të njëjtat dikastere mbulohen edhe nga institucione tjera përkatëse, përfshirë ministritë.

Më herët për këtë çështje ishte pyetur edhe vetë Haradinaj, mirëpo kishte thënë se roli i koordinatorëve është krejtësisht i ndryshëm prej atyre të ministrave.