Shpërthim i dyfishtë në metronë e Shën Petersburgut, të paktën 10 të vdekur

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e dy shpërthimeve në metronë e Shën Petersburgut në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Dy shpërthimet kanë ndodhur në stacionet “Sheshi Senaja” dhe “Instituti Teknologjik” të metrosë së Shën Petersburgut.

Sipas lajmeve në mediumet ruse, thuhet se shkaktar i shpërthimit në stacionin “Sheshi Senaja” ka qenë një bombë thërrmuese e vendosur në vagonin e trenit.

Si pasojë e shpërthimeve të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur, teksa pas sulmeve janë mbyllur shtatë stacione, kurse në vendin e ngjarjes është dërguar numër i madh i policisë dhe ekipe të shpëtimit.

Putin në Shën Petersburg

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili në kohën teksa ka ndodhur shpërthimi ka qenë në një takim në Shën Petersburg me presidentin e Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko, është njoftuar nga presidenti i Shërbimit të Sigurisë Federale.

Putin ka thënë se ekziston mundësia që shpërthimet të kenë qenë sulme terroriste, duke shprehur më tej ngushëllime për të afërmit e viktimave në shpërthim.