Shpallet gjendje e jashtëzakonshme edhe në Laç

Kryeministri Edi Rama ka shpallur mëngjesin e sotëm gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit.

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se ndan të njëjtin shqetësim si opozita në lidhje me situatën e vështirë në Laç dhe se për këtë arsye në këtë zonë do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Ai tha gjithashtu se ka nisur puna në Durrës e Thumanë për shembjen e godinave të dëmtuara dhe pastrimi i gërmadhave.

“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program. Ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha Rama.