Shpallen fajtor të akuzuarit e “Syrit të Popullit”

Të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, janë shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMW”, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova është dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana është dënuar me 2 vjet.

Kurse, Murat Jashari për shkak të gjendjes së tij, është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh, si dhe i është konfiskuar arma.

Ndërkaq, Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale është dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha janë dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha është dënuar edhe me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha refuzohet aktakuza, pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.

“Avni Llumnica fajtor, sepse me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vras Azem Vllasin i dha ndihmë atij duke e sjell nga Zvicra të akuzuarin Jashari, e me pas e ka ftu edhe si mysafir në shtëpinë e tij, e më pas kanë qenë edhe në Vilën Panorama, e më pas edhe i ka pagu fjetjen pasi që i akuzuari Jashari e ka kry tentim vrasjen ata sërish kanë dashtë për tu kthy në Zvicër. Është vërtetuar se i akuzuari ka kry hakmarrje në ndihme. I akuzuari po ashtu sa ishte në qendër të paraburgimit në Lipjan me kanosje dhe me forcë e ka detyruar të kryej marrëdhënie seksuale dhe ka kryer veprën sulm seksual. Me pas edhe Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Rexhep Topllana dhe Murat Jashari janë fajtor sepse kishin themeluar organizatën ‘Syri i Popullit’, ku ishte marr vendim që të fillojnë me aksione të ndryshme me qëllim të shkatërrimit të akterëve shtetëror, duke përpiluar një listë për likuidim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, aktgjykimi është marr në bazë të provave dhe se siç ka thënë ajo palët kanë të drejtë ankese.

Pas shpalljes së aktgjykimit dhe shqiptimit të dënimit ndaj tij me 12 vjet burg, në sallë pati reagim nga ana e të akuzuarit Avni Llumnica, i cili iu drejtua trupit gjykues me fjalët “ju jeni shkije”.Video Player00:0001:21

Gjykimi në rastin “Syri i Popullit” ka filluar më 11 prill të vitit 2018, ku në shqyrtim fillestar 10 të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen, ndërsa pas kundërshtimit të provave dhe aktakuzës nga ana e të akuzuarve, gjykata kishte marrë vendim në maj të atij viti, që të konfirmojë aktakuzën e PSRK-së dhe për këtë rast të vazhdojë gjykimi.

Më 2 korrik 2018, ishte dhënë fjala hyrëse e këtij rasti, e më pas nga kjo datë janë ftuar për t’u dëgjuar më shumë se 40 dëshmitarë.

Ky rast, është përcjell me shumë vëmendje nga të gjithë, pasi që si dëshmitar, të dëmtuar janë dëgjuar edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e më pas edhe deputetët, Xhavit Haliti, Hajredin Kuçi, Fatmir Limaj, Elmi Reqica e Ramë Maraj.

Gjykimi në këtë rast shpesh herë është mbajtur me dyer të mbyllura për publikun, kjo për shkak se i akuzuari Avni Llumnica akuzohet edhe për veprën penale “dhunimi”, e në disa raste edhe me kërkesa të dëshmitarëve.

“Syri i Popullit”, ishte mbyllur për publikun edhe me rastin e dhënies së dëshmisë nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte kërkuar këtë gjë me arsyen se  dëshmia e tij përmbante edhe sekrete shtetërore, të cilat nuk guxojnë të dalin në publik.

Pas një viti dëgjim të dëshmitarëve dhe administrim të provave, në korrik të vitit 2019, kishte nisur dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve për këtë rast.

Të gjithë të akuzuarit edhe gjatë mbrojtës së tyre kanë mohuar akuzat ndaj tyre, duke thënë se për organizatën “Syri e Popullit” kishin dëgjuar vetëm përmes mediave.

Fjala përfundimtare për rastin është dhënë më 16 dhe 17 janar 2020.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.