Shoqëria që vret gratë

Rovena Tujani Klinaku

Drejtësia gjinore, garantimi i të drejtave të gruas, nënës, vajzës, janë tema të shumë përfolura, por rezultatet janë të pakta. Gruaja pavarësisht që është gjysma e shoqërisë  dhe edukon gjysmën tjetër të saj, ajo akoma nuk është e përfaqësuar denjësisht, me meritokraci në politikë, ekonomi, në debate sociale, në ato mjekësore e kështu me radhë. Përfaqësimi i saj është i ulët jo vetëm në rajon por dhe më gjerë. Vendet ballkanike kanë elemente të përbashkëta, të ngjashme për sa i përket temës “grua”.

Jetojmë në një shoqëri ku energjitë janë të orientuara drejt asaj gruaje. Asaj gruaje që nëse është e bukur e akuzojnë për moral. Nëse është e suksesshme e dyshojnë në forcat e saj. Nëse është e arsimuar dija e saj nuk është ekuivalentë me atë të kolegut mashkull. Nëse është e punësuar paguhet më pak sesa kolegu i saj në të njëjtin pozicion pune.

Pse ndodh kjo ?

Faktorët që favorizojnë këtë fenomen janë shumë. Ky fenomen frojdian është intepretuar nga  feministja Laura Mulvey, e cila shpjegon që e gjitha kjo është si pasojë e inferioritetit. Meshkujt ndjehen të kërcënuar nga një femër e fortë dhe vendosin ta asgjesojnë, ta nënshtrojnë. Në këtë mënyrë ata kanë siguruar ekzistencën dhe sundimin e tyre.

Ndërsa sipas Doan, feministe e njohur, shprehet që pas viteve 1980 kultura perëndimore është  krijuar mbi të gjitha në bazë të “botëkuptimit mashkullor” (male gaze). Kjo nuk le hapsirë për botëkuptimin femëror. Si rrjedhojë shoqëria është e strukturuar në atë formë që cdo gjë perceptohet sipas botëkuptimit mashkullor (Doane 1987).

Ky botëkuptim mashkullor ka kontriubuar në krijimin/vazhdimsinë e një femre të bukur, por që qëndron nën nënshtrimin dhe sundimin e botës mashkullore. Shumica e femrave “biejnë pre” e këtij presioni dhe si pasojë në mënyrë të pavetëdijshme bëhen pjesë e saj. Një pjesë e vecuar e grave që e kundërshtojnë këtë sistem “kërcënojnë” dominancën mashkullore dhe si pasojë i pret etiketimi, izolimi, nëncmimi dhe përjashtimi.

Në Kosovë

Jetojmë në shoqëri e cila gëzon dhe feston lindjen e djalit dhe vajton lindjen e vajzës. Në Kosovë ku vajza asnjëherë nuk quhet pjesë e familjes por “derë e huaj”. Në shoqëri e cila kur martohet vajza gjykohet vlera e saj në pamjen e saj. Gjykohet nëse është e duhura, nëse ka peshën e duhur, pamjen e duhur, gjatësinë e duhur, dhe nëse plotësohen këto kushte atëherë “ajo ishte nuse e mirë” . Në shoqëri ku mirësia nuk është vlerë, nuk është edukata, kultura, morali por është bukuria.

Në shoqëri ku brezat përplasën fuqishëm me njëra tjetrën, duke plagosur emocionalisht njërën palë dhe palën tjetër. Ku “të rejat nuk dinë” e “të vjetrat e teprojnë”. Jetojmë në një shoqëri ku gruaja nuk “luftohet” vetëm nga meshkujt mos-besues në aftësitë e saj, por dhe nga gratë e tjera. Nga ato gra që nuk e durojnë dot suksesin dhe arritjet e tjetrës dhe bëjnë çmos për ta dëmtuar. Nga ato gra egoiste, që zemra ju është mbushur me xhelozi.

Në atë shoqëri ku prej femrës pritet kontribut vetëm tek gatimi në kuzhinë, tek mikpritja dhe shërbimi në sallon dhe tek “shtimi” i fisit të burrit me djem dhe vajza, madje mbi të gjitha me djem.

Në Shqipëri

Jetojmë në atë shoqëri ku gruaja duhet t’i nënshtrohet brutalitetit, abuzivitetit të atij i cili merr përsipër guximin të vendos për të. Në shoqëri e cila kur refuzon femra ajo përçmohet, etiketohet, hidhet baltë në emrin dhe nderin e saj. Në shoqërinë që ish-bashkëshorti vret gjyqtaren e divorcuar, në shoqërinë që burri vret vajzën që refuzon propozimin e tij, përgjithësisht në shoqërinë ku shumë femra u vranë, u dhunuan dhe u abuzuan.

Le të ndalemi pak në logjikën e veprimit. Kjo vrasje ndodhi për arsye që një mashkull propozoi një femër. Kjo femra e cila mori guximin të refuzojë propozimin e tij, atëherë kjo femër ka lënduar ndjenjat e mashkullit, forcën e tij dominuese dhe si rrjedhojë pasojat ishin fatale. Për atë mashkull zgjidhja e mundshme ishte asgjesimin e femrës, vrasjen e saj, vetëm që ajo të mos vendoste në emër të dyve. Nuk e vrau individi, por e vrau mentaliteti mashkullor i shoqrisë sonë.

Jetojmë në atë shoqëri ku femra nuk nderohet por blihet. Blihet si një aksesor i bukur në krah të një mashkulli të kuruar në pamje por të rritur dhe të ushqyer me këtë mentalitet vrasës. Në atë shoqëri ku nuk promovohet morali, edukimi, arsimimi, por reklamohet dhe investohet në fashion,  në botën e kozmetikës maskuese. Reklamohet cdo gjë që është në funksionalizim të imazhit të jashtëm të femrës, të atij imazhi të vendosura nga kodet iluzionare të aprovuara dhe kërkuara nga bota mashkullore. Aty ku femrës i lihet hapsirë në debatë apo shoë-e televizive për shkak të bukurisë jo për shkak të inteligjencës. Ajo duhet vetëm të buzëqesh, dhe të mos flas, të marri pëlqimin dhe aprovimin e shoqërisë.

Kjo është shoqëria jonë, e cila nëse në një moment të jep pak shpresë për përmirësim, menjëherë ndodh një tragjedi e radhës e cila të rikujton që kjo shoqëri është ushqyer me këtë mentalitet abuzues, që ofendon, lëndon dhe vret.

Ndoshta do duhen breza të kalojnë që të arrijmë në atë vetëdije, dhe atë mendësi ku të kuptojmë që e gjitha kjo ka një formulë suksesi; “Gruan e nderon i ndershmi, dhe e nëncmon i nëncmuari”

 

Av. Rovena Tujani Klinaku,