Shkupi në zgjedhje të parakohshme

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar me 80 vota për, Ligjin për Prokurorinë Publike, një nga ligjet më të diskutueshme vitin e fundit në vend.

Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike tij nxiti polemika të shumta meqë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, anuloi votimin e parë kur për ligjin u deklaruan 74 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm. meqë për të nevojiteshin dy të tretat apo 80 vota. Pasi kryetari i kuvendit, Talat Xheferi, konstatoi miratimin e ligjit, shefi i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski doli në foltore dhe filloi të bërtasë “kriminelë, kriminelë”. Ai tha se votimi i parë duhej të ishte pranuar.

Ligji për Prokurorinë Publike synon rregullimin e prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion e cila procedon edhe lëndët e ish-prokurorisë speciale, që është shuar për shkak të skadimit të mandatit ,por edhe përfshirjes së drejtueses së saj, Katica Janeva në aferën e njohur si “Reketi”. Dallimet kryesore mes partive kishin të bëjnë me lëndët gjyqësore që janë ngritur në bazë të aferës së përgjimeve, e që përfshijnë thuajse gjithë ish-zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së, me në krye me ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari ku ka fituar azilin politik. VMRO-ja kërkonte që me ligjin e ri të anulohen të gjitha proceset gjyqësore që janë ngritur në bazë të aferës së përgjimeve, ndërsa zgjidhjen tani më të miratuar e konsideron si “amnisti për Zoran Zaevin dhe zyrtarët e qeverisë aktuale të përfshirë në vepra penale”.

Pas miratimit të disa ligjeve të tjera, deputetët e pritet të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 12 prill.