Shkup, debat publik për plotësim të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi

Në organizim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, në praninë e dhjetra përfaqësuesve të organizatave joqeveritare u mbajt debat publik mbi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky ligj rregullon ndalimin e përgjithshëm të diskriminimit, format dhe llojet e diskriminimit, procedurat për mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe përbërjen dhe punën e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Ish-gjyqtarja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Margarita Caca-Nikolovska, e cila ka kontribuar në tekstin me disa propozime për ndryshim dhe plotësim të këtij ligji, bëri të ditur se këto propozime janë fokusuar në problemet e ligjit aktual.

“Ky ligj në vetvete besoj se do të shkaktojë nevojën për ndryshime të caktuara në ligje të tjera ku mund të ketë disktriminim. Ato ligje kanë disa dispozita, megjithatë, ato dispozita janë çështje se sa do të jenë në përputhje me Ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga disktriminimi”, tha Nikolovska.

Nikolovska, duke përmendur disa të meta të ligjit aktual, shtoi se çdo ligj gjithmonë mund të përmirësohet dhe të jetë më i përshtatshëm.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi është të sigurojë parimin e barazisë, parandalimin dhe mbrotjen nga diskriminimi në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të garantuara nga Kushtetetuta e Republikës së Maqedonisë, ligjet dhe në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.