Shkenctarët amerikanë: Kanceri mund të parandalohet deri në 50 për qind të rasteve

Sipas një studim të realizuar nga Instituti Amerikan i Shëndetit Publik, dega në Misuri, e të botuar në revistën Science Transitional Medicine, njerëzit mund t’i përgjysmojnë gjasat për t’u prekur nga kanceri duke përmirësuar mënyrën e të të jetuarit.

Zgjedhjet që njeriu bën në përditshmëri luajnë rol të rëndësishëm në shkaktimin e kancerit – pirja e duhanit, dieta jo e shëndetshme dhe mos-aktiviteti fizik, janë disa nga faktorët që mund të ndryshohen.

Sipas të dhënave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm duhani është përgjegjës për rreth 30 për qind të gjitha rasteve të kancerit. Pesha e tepërt trupore dhe obesiteti janë përgjegjës për 20 për qind të rasteve të tjera.

Dhe, duke ndryshuar këto shprehi të këqija, kanceri mund të parandalohet madje në një shkallë edhe më të lartë.

Studiuesit thonë se 75 për qind e rasteve të kancerit në mushkëri mund të parandalohen vetëm duke hequr dorë nga duhani.

Shumë vende, edhe ato të banuara me popullatë shqiptare, kanë miratuar ligje e programe për ndalimin e duhanit në vendet publike ose për dekurajimin e pirjes së tij.

Por, këto ligje dhe programe ka raste që nuk zbatohen, veçanërisht në vendet ku problemet politike, ekonomike e shoqërore janë më të shumta (siç janë Shqipëria, Kosova dhe vendet tjera shqiptare në Ballkan).

Por ekzistojnë edhe pengesa të tjera, mbase më të mëdha. Njerëzit janë skeptikë se kanceri mund të parandalohet dhe nuk binden derisa preken nga kjo sëmundje fatale.

Autorët e studimit të sipërpërmendur thonë se rastet e kancerit mund të pakësohen dukshëm në mbarë botën, nëse njerëzit individualisht apo si shoqëri ndryshojnë sjelljet e tyre dhe nëse përpjekjet e shëndetit publik mbështeten mbi njohuritë shkencore./Mesazhi/