Shkencëtarët nisin studimin e akullnajës më të rrezikshme në botë

Një akullnajë e Antarktikut, e cila pritet të shkrihet brenda pak dekadash, do të shkaktojë rritjen e nivelit të detit deri në tri metra, tregon një studim i përbashkët amerikan-britanik.

Akullnaja Thwaites në Antarktikun perëndimor mbulon një sipërfaqe prej 182,000 metra katrorë dhe përshkruhet si më e rrezikshmja në botë.

Natural Environment Research Council (NERC) nga Britania dhe National Science Foundation (NSF) nga SHBA kanë lansuar projektin për studimin e akullnajës në vlerë 27.5 milionë dollarë.

Me ndihmën e mbi 100 shkencëtarëve, ata dëshirojnë të punojnë për të mësuar se sa shpejt akullnaja do të shkrihet dhe si do të ndikojë kjo në rritjen e nivelit të detit.

Akullnaja Thwaites do të ngritë nivelin e detit për një metër deri në fund të këtij shekulli dhe tri herë më shumë në një periudhë afatgjate.

Shkrirja e saj do të fillojë gjatë disa dekadave të ardhshme, thonë shkencëtarët.

Kolapsi i kësaj akullnaje mund të destabilizojë pjesët tjera të akullit.

Vendet tjera të përfshira në projekt janë Koreja Jugore, Gjermania, Suedia, Zelanda e Re dhe Finlanda.

Shkencëtarët në tokë kanë përdorë pajisje të sofistikuara për të mbledhur të dhënat e nevojshme për matjen e volumit të akullit dhe ndryshimin e masës së akullit.

Projekti pesëvjeçar do të fillojë në tetor të këtij viti dhe ekspertët do të koncentrojnë punën e tyre gjatë verërave në Antarktik nga viti 2019 deri 2021.