Shkëlqimi mahnitës arkitekturor i Xhamisë së Madhe në Divriği

Xhamia e njohur nga shekulli i 11-të, e cila njëkohësisht ka shërbyer edhe si një lloj spitali për trajtim të të sëmurëve, Xhamia e Madhe në Divriği, nga shkaku i arkitekturës mbresëlënëse arrin të tërheqë një numër të madh vizitorësh për çdo vit.

Paralelisht me parkun Kombëtar, Göreme, atraksionin turistik Kapadokia dhe lokalitet historike që ndodhen në Stamboll, kjo kryevepër e arkitekturës islame në vitin 1985 u bë ndër lokalitetet e para që ka zënë vend në listën e UNESCO-s për trashëgimi botërore.

Kjo ndërtesë e jashtëzakonshme në Divriği, provinca Sivas, paraqet një kombinim të xhamisë dhe spitalit në dy kate.

Punët ndërtimore për këtë kryevepër të artit ishin urdhëruar nga emiri Ahmed Shah nga Mengucek në vitin 1229, në shenjë nderimi të betejës së Malazgirtit në vitin 1071 në të cilën selçukët të udhëhequr nga sulltani Alparslan mposhtën ushtrinë e Bizantit duke hapur rrugë për dominim të Anadollit nga Shteti Osman.

Xhamia në fjalë ka një strukturë të pashembullt, pasi në brendi ka një spital dhe një dhomë për lutje, ndërsa është e mbuluar nga dy kupola.

“Ka një teknikë të sofistikuar të ndërtimit të kupolave, e shoqëruar nga një teknikë kreative dhe të pasur të skulpturës dekorative, në veçanti tek tre portat e saj, që dallon shumë nga muret e pastolisura të brendshme”, thuhet në ueb faqen e UNESCO-s.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), për mijëra motivet e pasqyruara në ndërtesë, muezini i xhamisë dhe një ciceron vullnetar, Nail Ayan, tha se “asnjë motiv, asnjë formë e shprehur nuk përsëritet diku tjetër”.