Shiti veshkën për të blerë iPhone, adoleshenti nuk lëviz dot prej 7 vitesh

17-vjeçari  Wang Shangkun në vitin 2011 mendoi se do t’i mjaftonte një veshkë për të gjithë jetën dhe vendosi ta shiste njërën në tregun e zi. Kështu ai do të blinte një iPhone që sapo kishte dalë në treg. Pas një operacioni në një spital të improvizuar, Wang shiti veshkën dhe mori në këmbim 3,202 dollarë, para të mjaftueshme për të blerë celularin.

Për të përfunduar transaksionin,Wang udhëtoi nga vendlindja e tij në Provincën lindore Anhui , një nga provincat më të varfra të Kinës, në Provincën jugore Hunan në prill të vitit 2011.

Ai organizoi udhëtimin fshehurazi dhe as prindërit e tij nuk ishin në dijeni të planit. Pas mbërritjes në Hunan, ndërmjetësuesit e dërguan djalin tek dy kirurgë, një asistent kirurg dhe një infermiere, që punonin në spitalet lokale. Por sipas “Oriental Daily” ambienti në të cilin kreu operacionin nuk ishte i sterilizuar mjaftueshëm dhe plaga iu infektua. Prindërit raportohet se nuk ishin në dijeni të asgjëje derisa adoleshenti u sëmur rëndë nga infeksioni.

Tani i  riu nga Kina nuk lëviz dot nga krevati dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm. Wang  tani jeton me përfitime sociale. Ai vuan nga dështimi i veshkës dhe ka nevojë për dializë të rregullt. Megjithë ndërhyrjet e mjekëve, ai duhet ta kalojë jetën me dializë pasi infeksioni i ka prekur edhe veshkën tjetër.

Familjes së Wang iu dha 169.000 paund si kompensim.