Shembja e “Murit të turpit” para 29 vitesh

Muri i Berlinit që e ndante në dy pjesë kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin, në lindje dhe perëndim pas Luftës së Dytë Botërore dhe që njihej edhe me emrim “Muri i turpit” u shemb para 29 vitesh, shkruan Anadolu Agency (AA).

Gjermania e cila e humbi Luftën e Dytë Botërore dhe qyteti i Berlinit u nda në katër pjesë si rajoni i SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.

Më pas me bashkimin e njësive adiministrative të SHBA-ve, Francës dhe Britanisë, në vitin 1949 u themelua Republika Federale e Gjermanisë, gjegjësisht “Gjermania Perëndimore”.

Ndërsa Bashkimi Sovjetik në rajonin e saj adiministrativ e themeloi Republikën Demokratike të Gjermanisë (Gjermania Lindore – DDR).

Gjermania Perëndimore me mbështetjen e vendeve aleate u zhvillua me ekonominë e tregut të lirë dhe strukturën e saj demokratike.

Me mos zhvillimin e Gjermanisë Lindore ekonomia dhe struktura politike e së cilës ishte e bazuar në sistemin socialist sovjetik, dhjetra mijëra persona filluan të ikin nga Lindja në Perëndim, për arsye të nivelit të lartë të mirëqenies së Gjermanisë Perëndimore.

Ata që dëshironin të ikin në Gjermaninë Perëndimore, për këtë zgjidhnin Berlinin si qytet më të përshtatshëm.

Rreth 3 milionë persona në mesin e të cilëve veçanërisht të rinj të arsimuar dhe të kualifikuar mes viteve 1949-1961, ikën në Perëndim nga Gjermania Lindore, ekonomia e së cilës përkeqësohej.

Administrata e Gjermanisë Lindore për të parandaluar këto ikje, më 12 gusht 1961 natën e së shtunës, në mënyrë të fshehtë vendosi që të mbyllë kufirin në Berlin.

Mëngjesin e 13 gushtit, ushtarët e Gjermanisë Lindore mbyllën me gardh me gjemba rajonin ku merrte pjesë administrata sovjetike. Pasi që këto tela nuk arritën të parandalojnë ikjet, natën e 17 gushtit filloi ndërtimi i Murit të Berlinit i lartë 3,6 metra, që më pastaj do të njihej si “Muri i turpit”.

Kështu që në mes të Berlinit ishte ndërtuar një mur i gjatë rreth 44 kilometra, ndërsa përreth Berlinit 112,7 kilometra.

Gjatë ndërtimit të murit njerëzit nga disa shtëpi që gjendeshin në rajonin kufitar, duke kërcyer nga dritaret kaluan në pjesën perëndimore të qytetit.

Në vitet më pas rreth murit u rritën masat e sigurisë, duke shtuar elemente si kulla e vëzhgimit, i ashtuquajturi “Rripi i vdekjes” dhe “Muri i brendshëm”.

Mes Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor u vendosën 8 kalime kufitare. Më i njohur nga to ishte “Checkpoint Charlie” që gjendet mbi “Friedrichstrasse”.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, në fjalimin e tij në Berlinin Perëndimor në vitin 1987, i bëri thirrje presidentit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, me fjalët: “shembe këtë mur”.

Procesi i reformave në ish-shtetet e Bllokut Lindor filloi me politikën transparencë dhe ristrukturim (Glasnost dhe Perestrojka) të Gorbachev-it dhe protestat e sindikatave në Poloni në vitin 1989 me ç’rast nën ndikim ranë edhe Hungaria dhe Gjermaninë Lindore.

Njerëzit në Gjermaninë Lindore në muajt e verës të vitit 1989 dolën nëpër rrugë për liri.

Ndërkohë shumë njerëz duke aplikuar në ambasadat gjermane në Pragë, Varshavë dhe Budapest, përpiqeshin që të shkojnë në Gjermaninë Perëndimore.

Këto zhvillime e detyruan qeverinë e Gjermanisë Lindore që të bëjë rregullime në udhëtimet. Günter Schabowski, zëdhënësi i Partisë së Unitetit Socialist (SED) që udhëhiqte me Gjermaninë Lindore, në konferencën për media mbrëmjen e 9 nëntorit lexoi rregulloren e re mbi udhëtimet që qeveria kishte vendosur në fuqi.

Në pyetjen e një gazetari se kur do të jetë e vlefshme kjo rregullore, Schabowski u përgjigj “urgjentisht, menjëherë”.

Pasi që kjo u transmetua në media, njerëzit vërshuan në pikat e kalimit si dhe në rajonet ku ndodhej muri. Mbrëmjen e njëjtë njerëzit duke hipur mbi mur filluan ta shembin atë.

Shembja zyrtare e murit filloi më 13 qershor 1990. Shembja e “Murit të turpit” shkaktoi përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe bashkimin e dy Gjermanive.

Ikjet nga Gjermania Lindore në atë Perëndimore vazhduan. Më 9 nëntor 1989 kur u shemb Muri i Berlinit, 5.075 persona arritën të ikin në Perëndim.

Ndërsa të paktën 138 persona që u përpoqën të ikin nga muri me 186 kulla vrojtimi humbën jetën.

Personi i parë që humbi jetën gjatë përpjekjes për të ikur ishte Ida Siekmann më 22 gusht 1961, ndërsa i dyti Günter Litfin më 24 gusht 1961.

Personazhi më i njohur që kishte ikur nga Berlini Lindor në atë Perëndimor ishte ushtari i mbrojtjes kufitare të Gjermanisë Lindore, Conrad Schumann.

Fotografia e tij u bë simboli i ikjes, kur më 15 gusht 1961 ai kaloi telat në rajonin ku mbante roje.

Bashkimi i Gjermanisë çdo vit kremtohet më 3 tetor me ceremoni zyrtare.