SHBA, zjarr në një skelë, disa të vdekur

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra varka janë djegur si pasojë e një zjarri të ndodhur dje në një skelë në Alabama të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Zjarrfikësve të qytetit Scottsboro, Gene Necklaus, në deklaratën e tij tha se në zjarrin e ndodhur dje në Jackson County Park Marina mbi lumin Tennessee, konfirmohet vdekja e tetë personave që llogariteshin si të zhdukur.

Ai tregoi se të paktën 35 varka janë djegur si pasojë e zjarrit.

Necklaus gjithashtu shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të viktimave pasi ende nuk është e qartë se sa persona kanë qenë në varka, duke shtuar se për këtë do të duhet të kërkohen të gjitha varkat një nga një.

Shumë persona që kërcyen në ujë duke ikur nga zjarri shpëtuan, kurse të paktën shtatë persona janë dërguar në spital.