SHBA-të nuk ndryshojnë qëndrimin për taksën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka njoftuar se pozicioni amerikan nuk ka ndryshuar në lidhje me taksen, duke pohuar se SHBA-të në vazhdimësi kanë kërkuar nga udhëheqësit kosovarë ta pezullojnë menjëherë taksen për produktet serbe dhe ato të Bosnje e Hercegovinës. “Pozicioni ynë mbi taksen nuk ka ndryshuar. SHBA-të në vazhdimësi kanë kërkuar nga udhëheqësia kosovare ta pezullojnë menjëherë taksen për produktet serbe dhe ato të Bosnje e Hercegovinës. Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, nuk shohim se Kosova përfiton diçka nga kjo masë. Fuqishëm bëjmë thirrje që të rishikohet fokusi thelbësorë i interesit të Kosovës – e që është e ardhmja evropiane dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”, ka bërë të ditur ambasada amerikane për KosovaPress. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur sot, se taksa nuk do të hiqet, pasi taksa nuk ka të bëjë më Amerikën, por është e drejtuar kundër Serbisë dhe Rusisë.